Opozita e re-Ramës: Gati të ndryshojmë reformën zgjedhore

Shqipëria

Opozita e re-Ramës: Gati të ndryshojmë reformën zgjedhore

Më: 31 maj 2019 Në ora: 09:50
Ilustrim

Kreu i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla dhe deputeti i opozitës së re, Ralf Gjoni kanë replikuar dje në Kuvend lidhur me reformën zgjedhore. Balla tha se opozita e re është e mirëpritur për këtë çështje. “Genc Pollo nuk bënte punën. Bëje ti punën bashkë me Hajdarin dhe jeni të mirëpritur. E dyta që lidhet me çështjen për reformën zgjedhore. Kjo çështje u fut nga Këshilli.

Ne e kemi depozituar që në qershor dhe me deputetë të rinj të opozitës jemi të gatshëm të bashkëpunojmë qoftë për reformën në drejtësi apo për reformën zgjedhore”. Ndërsa, Ralf Gjoni deklaroi se puna për këtë ndryshim duhet të nisë pasi pa opozitën. “Iku ish-opozita mos u merrni më me Genc Pollon na keni këtu, ne morëm vendet tona në reformën zgjedhore, çfarë prisni? Hajde e ndryshojmë që tani sistemin zgjedhor, apo prisni ndonjë mesazh në whatsapp, hajde pra, vetëm inflacion fjalësh, vetëm akuza, vazhdojnë akoma merren me opozitën që është në rrugë. Keni forcën e ndryshimeve kushtetuese këtu, pa ne nuk ndryshoni dot kushtetutën. Zgjohuni”, tha Gjoni.

Raporti

Progres-raporti i Komisionit Evropian, ka zotëruar diskutimet parlamentare këtë të enjte në Parlament, ku opozita parlamentare dhe maxhoranca ishin mbledhur për të votuar raportin në fjalë. Rudina Hajdari tha se asnjë lider nuk e bindi dot Brukselin, ndërsa kryeministri Rama u shpreh se opozita jo parlamentare nuk ka vullnet për të bashkuar fuqitë për negociatat.

Kryeministri Edi Rama i ka bërë apel opozitës joparlamentare që të mos kthejë në peng të axhendës politike një proces të rëndësishëm për gjithë Shqipërinë, i cili nuk ka lidhje me një palë politike, që të bashkojnë zërin në mënyrë që Shqipëria të marrë dritën jeshile edhe nga Këshilli i Evropës për çeljen e negociatave. Gjatë fjalës në kuvend, kreu i qeverisë tha, se Raport-Progresi i Komisionit Evropian, që rekomandon hapjen e negociatave është mjaft objektiv, por vendimi i Këshillit të Evropës nga të gjitha vendet anëtarë në BE, është politik dhe ndaj angazhimi i politikës së brendshme në Shqipëri duhet të jetë në favor të këtij procesi.

“Mes rekomandimit pa kushte për çeljen e negociatave dhe vendimit politik të KiE, ka një hapësire kohore dhe subjektivizmi politik, ku Shqipërisë i takon të bëjë të vetën, dhe partive u takon të jenë bashkë në një zë. Mjafton të shohësh reagimet e opozitës rrugore në raport me raportin e progresit për të kuptuar, se jo vetëm që nuk ka asnjë vullnet për të bashkuar zërin me të gjithë ne që jemi këtu pavarësisht dallimeve dhe kundërshtimeve që kemi këtu, dhe me gjithë shqiptarët që mbi 90% e tyre duan BE-në, është e qartë që ka një vendosmëri për të vijuar përpjekjen destruktive dhe alibi negative të gjithë atyre që për arsyet e tyre nuk e duan as zgjerimin e Evropës, aq më pak çeljen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë. Është për të ardhur keq, e pakuptimtë në aspektin strategjik, se negociatat nuk janë të një partie, i gjithë ky proces nuk ka qenë procesi i një pale”, u shpreh Rama. Shefi i mazhorancës i bëri edhe një herë apel për dialog opozitës joparlamentare sa i përket procesit zgjedhor, duke theksuar se zgjedhjet e 30 qershorit nuk negociohen, pasi kjo datë buron nga Kushtetuta, si caktim i dekretit të Presidentit.

“Ne kemi gjithë gatishmërinë të dialogojmë me opozitën jashtë parlamentare, por asnjëherë nuk do të negociojmë legjitimitetin dhe detyrimin për vazhdimësinë e këtij parlamenti”,  tha kryeministri.

Basha: Do të refuzohen negociatat, përgjegjës është Rama!

Basha ka deklaruar nga Kurbini se Shqipërisë do t’i refuzohet hapja e negociatave, duke bërë përgjegjës  për këtë kryeministrin Edi Rama. “Na u refuzua hapja e negociatave. BE refuzon ti hap rrugën për negociatat. Ka vetëm një përgjegjës që e shtyn tash tre vjet për Shqipërinë si gjithë Europa. Ky është ai që vë interesat e tij para shqiptarëve. Ai ka vendosur kundër shqiptarëve kundër lirisë së shqiptarëve.

Asgjë nuk na e heq fokusin e kësaj beteje. Asnjë vend pune nuk do hapet nga Rama. Kjo është beteja, zgjedhje  të lira e të ndershme. Largimi sa më parë i Edi Ramës. Prandaj jemi bashkë. Unë e kam zemrën plotë. Këtë betejë e luftojmë edhe për socialistët. Do të çlirojmë partinë tuaj nga krimi. Shqipërinë nga krimi. Kjo është beteja”, ka deklaruar kreu i opozitës. Gjatë fjalës së tij, kreu i Partisë Demokratike tha ndër të tjera se:

“Ora e tij ka marrë fund. Nuk ka forcë mbi tokë që ta kthejë këtë urë mbrapsht. Tentativa kriminale nuk pranon Europa të hap negociatat me një Kryeministër që është kapur duke vjedhur votat, dhe duke vjedhur milionat. Duhet të kalojë në Paris në Berlin dhe kudo ku standardet europiane janë Bibla dhe Kurani i qeverive. Nuk kalon dot Rama testin e Berlinit”, përfundoi Basha.

Shifra

18 Qershor është data në të cilën pritet të mblidhet Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian, të cilët do të diskutojnë për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë. Ndërkohë që analistët bëjnë të ditur se raporti është rekomandues, dhe si të tillë nuk duhet të entuziazmohemi, pasi vendimi i përket 28 vendeve të BE-së. Një votë kundra do të thotë jo anëtarësim në familjen e europiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat