Nis Vettingu në Polici, 31 drejtues të lartë kalojnë në “sitë”

Shqipëria

Nis Vettingu në Polici, 31 drejtues të lartë kalojnë në “sitë”

Më: 31 maj 2019 Në ora: 11:46
Ilustrim

Vetting-u për drejtuesit dhe punonjësit e Policisë së Shtetit, tashmë ka nisur të vihet në funksion. Ministria e Brendshme ka njoftuar se Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit ka përzgjedhur 45 emrat e parë që do t’i nënshtrohen procesit të Vetting-ut në radhët e policisë.

Dosjet e vetëdeklarimit janë tërhequr dhe ka nisur puna në fazën e parë. Sipas parashikimeve ligjore, procesi do të mbahet për çdo subjekt seancë e hapur dëgjimore. Dosjet e vetëdeklarimit të drejtuesve të policisë mësohet se janë tërhequr nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit dhe ka nisur puna për shqyrtimin e deklaratave, dhe verifikimet përkatëse. Si vetting-u në sistemin të Drejtësisë edhe ai i Policisë, mbështetet në tri kritere; pastërtia e figurës, pasuria dhe tek aftësitë profesionale. Në fillim do të bëhet vlerësimi për 31 drejtues të lartë në Policinë e Shtetit. Nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të parët do të kalojnë në sitë 12 punonjës dhe në Gardën e Republikës 2 drejtues. Sipas informacioneve zyrtare, në total numri i zyrtarëve të Policisë që do të kalojnë në “sitën” e vetting-ut është 13 mijë.

Godina është përcaktuar në ambientet e Gardës së Republikës dhe sipas ligjit, për çdo subjekt do të mbahet seancë e hapur dëgjimore. Për vlerësimin e 250 gradave të larta, u caktua një komision me anëtarë nga jashtë sistemit të Policisë së Shtetit. 5 vijnë nga ILDKPI, 5 anëtarë nga radhët e pedagogëve, dhe 5 anëtarë u përzgjodhën me konkurrim. Ndërkohë dy fazat e tjera të shqyrtimi të vetting-ut, do të bëhen nga drejtuesit e SHÇBA-së dhe ato të Policisë së Shtetit, të cilët kanë kaluar me sukses fazën e parë të vetting-ut. Përfshirja e SHÇBA u bë pas ndryshimeve që kërkoi ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, pasi sipas tij kjo i kursente Buxhetit të Shtetit mbi 2.6milionëeuro. Në mbështetje të Ministrisë së Brendshme, janë edhe partnerët ndërkombëtarë me misionet e tyre si PAMECA e EUROPOL, të cilët kanë asistuar më herët në hartimin e kuadrit ligjor. Procesi i vetting-ut në Polici u shty afërisht me 1 vit nga afati përmbyllës që ishte caktuar data 8 maj i 2018.

Vettingu

Të 13 mijë punonjësit e Policisë së Shtetit, si dhe punonjësit e Gardës e të SHÇBA do t’i nënshtrohen këtij procesi ditët në vijim.Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit do të verifikojë 287 zyrtarët më të lartë të Policisë, që nga Drejtori i Përgjithshëm deri te shefat e komisariateve. Më pas, 2700 punonjës të Policisë me grada të mesme dhe 115 nga Garda, përfshi edhe repartet speciale RENEA, FNSH dhe Forcat e Posaçme Operacionale, do të kontrollohen nga Komisioni Qendror.

Ndërkohë, të gjithë efektivët e nivelit bazë do të kontrollohen nga 135 anëtarë të Komisioneve Vendore, shumica e të cilëve do të jetë punonjës Policie që do ta kalojnë të parët vetingun nga Komisioni Qendror i Vlerësimit, shkruan shekulli. Kontrollet, të cilave do t’u nënshtrohen të gjithë, janë kontrolli i pasurisë, i pastërtisë së figurës dhe vlerësimi profesional. Kontrolli i pasurisë fillon me një vetëdeklarim të efektivit dhe të familjarëve të tij. Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, Komisioni Qendror i Vlerësimit dhe Komisionet Vendore dhe të Posaçme të Vlerësimit, janë tre organet që do të kryejnë verifikimin e punonjësve të Policisë.

Organet e vlerësimit organizohen në trupa vlerësimi, të cilat janë përgjegjëse për marrjen e vendimeve ndaj subjekteve të vlerësimit. Trupat e vlerësimit përbëhen nga tre anëtarë, të cilët caktohen me short nga Komisioni përkatës i Vlerësimit, ku përcaktohet relatori i trupës së vlerësimit. Organet e vlerësimit kalimtar mbështeten nga sekretariate teknike gjatë gjithë veprimtarisë së tyre, sipas parashikimeve të këtij ligji. Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit përbëhet nga 15 anëtarë. Pesë anëtarë të këtij Komisioni caktohen nga ILDKPKI të përzgjedhur midis punonjësve të këtij institucioni. Ky organ cakton gjithashtu edhe dy anëtarë zëvendësues, që ushtrojnë detyrën në rast mungesash të zgjatura të anëtarëve të caktuar. Pesë anëtarë të këtij Komisioni përzgjidhen nga një bord i caktuar, posaçërisht për këtë qëllim, nga pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë dhe të Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Pesë anëtarë të këtij Komisioni përzgjidhen nga radhët e avokatëve nga bordi i përzgjedhjes.

Deklarimet që do të bëjë një punonjës

Të ardhurat personale dhe ato të personave të lidhur, sipas certifikatës familjare, nga çfarëdo lloj aktiviteti, për të gjithë periudhën e përcaktuar në ligj.

Shpenzimet e vitit të fundit për qira banese, ujë, drita, telefon dhe internet, si dhe të gjitha ato pagesa periodike për kontratat e furnizimit apo pajtimit në emër të tij apo të personave të lidhur.

Udhëtimet private personale apo të personave të lidhur, jashtë shtetit gjatë 3 viteve të fundit duke specifikuar vendin, kohëzgjatjen dhe me përafërsi shpenzimet e përballuara.

Arsimimin e fëmijëve, madhorë apo të rritur në momentin e deklarimit apo personave të lidhur, duke deklaruar fillimin, llojin e institucionit arsimor, emrin e institucionit, pagesat vjetore si dhe kohëzgjatjen e studimeve, për të gjithë periudhën e përcaktuar në ligj.

Pronat e paluajtshme të fituara, tjetërsuara, poseduara apo përdorura për të gjithë periudhën e përcaktuar në ligj.

Pronat e luajtshme apo sendet me vlerë mbi 300 mijë lekë, përfshirë, por pa u kufizuar, mjetet motorike të fituara, tjetërsuara, poseduara apo përdorura për të gjithë periudhën e përcaktuar në ligj.

Kontrolli i figurës

Verifikimin e saktë të identitetit në të shkuarën dhe të tashmen për çdo punonjës që i nënshtrohet kontrollit dhe arsyen e ndryshimeve të emrit e mbiemrit

Të dhënat për vendbanimin aktual dhe të mëparshëm (brenda dhe jashtë vendit)

Rastet e ndryshimeve ose marrjes së shtetësive të tjera

Refuzimet për hyrje në vendet e Bashkimit Europian ose të NATO-s

Kërkesa për azil në ndonjë shtet

Verifikimin e procedimeve penale të nisura ndaj punonjësit, brenda dhe jashtë vendit

Dëbimin nga shtete të tjera, për shkelje të rregullave të hyrjes apo qëndrimit

Përballimin e presioneve, që kanë për qëllim komprometimin e punonjësit gjatë ushtrimit të detyrës

Raste të nepotizmit të punonjësit, që i nënshtrohen vlerësimit

Vlerësimin e përgjithshëm, nëse punonjësi mund të vihet nën presion nga strukturat kriminale

Testimin për përdorim lëndësh narkotike

Varësinë nga alkooli apo nga lojërat e fatit

Verifikimin nëse ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit para vitit 1990

Në rast se trupa e vlerësimit e çmon të nevojshme, punonjësi i nënshtrohet një testi psikologjik të personalitetit apo testeve të tjera, edhe me ndihmën e mjeteve teknologjike të posaçme, me qëllim vlerësimin e besueshmërisë së punonjësit dhe deklarimeve personale

Refuzimi i kryerjes së testeve shtesë, mund të jetë shkak për largimin nga detyra të punonjësit

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat