Shqipëria nuk është në kushtet për rikthimin e vizave

Shqipëria

Shqipëria nuk është në kushtet për rikthimin e vizave

Më: 31 maj 2019 Në ora: 20:00
Besfort Lamallari

Zëvendësministri i Brendshme, Besfort Lamallari gjatë një interviste televizive theksoi se bashkëpunimi mes agjencive ligjzbatuese shqiptare dhe europiane është mjaft i mirë, bashkëpunim i cili ka rezultuar mjaft efikas në goditjen e grupeve dhe veprimtarisë kriminale.

I pyet për kërkesën e Parlamentit holandez për rikthimin e vizave për Shqipërinë, Lamallari u shpreh se Shqipëria nuk është në kushtet për rikthimin e tyre, duke cituar edhe deklaratat e dy ministrave holandezë.

“Bashkëpunimi është mjaft i mirë në goditjen e grupeve dhe veprimtarive kriminale, përfshi edhe migracionin e paligjshëm. Ka një rregullore të Parlamentit Europian që përcaktoi mënyrën se si mund të aktivizohet mekanizmi i pezullimit të vizave, i cili i jep detyrë Komisionit Europian që të analizojë kushtet nëse janë përmbushur ose jo. Shqipëria nuk është në këtë situatë. Ministri holandez për Migracionin gjatë vizitës së tij në Tiranë në 8 prill, konfirmoi se bashkëpunimi mes vendeve tona ka qenë i shkëlqyer në çdo nivel dhe janë bërë të gjitha përpjekjet nga autoritetet shqiptare për të parandaluar migracionin e paligjshëm drejt BE, përfshirë këtu edhe Holandën si dhe kontrollet kufitare dhe shumë masa të tjera strikte për të ndihmuar në parandalimin e këtij fenomeni. Kemi gjithashtu edhe ministrin e Brendshëm Graperhaus, i cili theksoi se ka një ulje të ndjeshme të flukseve të azilkërkuesve, si dhe grupeve të dyshuara të shqiptarëve të dyshuar në Holandë”, – theksoi ai.

Lamallari u ndal edhe në shifra, duke u shprehur se nga 250 mijë të dyshuar në Holandë nga 35 shtetësi, 0,19% kanë nënshtetësinë shqiptare.

“Në 2017-ën u konstatua 12% rënie të numrit të personave që dyshoheshin, kjo vijon edhe për 2019-ën. Po të shikojmë edhe raportet e EUROSTAT-it në Europë, tregohet se nuk është alarmante dhe shqetësuese. Po t’i referohemi Holandës, shifrat zyrtare janë rreth 250 mijë të dyshuar në këtë vend nga 35 shtetësi të ndryshme dhe Shqiptarët zënë vetëm 0.19% të të dyshuarve, dhe akoma më pak janë dënuar me vendim gjykate, vetëm 18 të dënuar. Nëse kjo përbën një arsye për të dëmtuar një popull të tërë, pastaj duhet të hyjmë në një debat politik. Deri në këtë moment nuk ka arsye për t’u shqetësuar, shqiptarët do të kenë regjimin e lirë të vizave. Raporti i Komisionit Europian ishte tejet pozitiv, i cili tregoi se sa janë përmbushur objektivat”, – u shpreh ai.

Duke u ndalur te Raporti i Komisionit Europian, Lamallari theksoi se në të janë evidentuar një sërë arritjesh, konkretisht në Reformën në Drejtësi, e cila është edhe një nga prioritetet kyçe për integrimin.

“U evidentuan një sërë arritjesh, edhe në kuadër të Reformës në Drejtësi, e cila vlerësohet si një nga elementët kyçe për vendin. Për fat të keq Raporti konstatoi edhe situatën e polarizuar politike, duke i bërë thirrje opozitës që për hir të së ardhmes së vendit të riangazhohet në institucionet demokratike, ku pavarësisht bojkotit të zgjatur të partive të opozitës dhe djegies së mandateve, sot kemi një Parlament tërësisht funksional. Gjithashtu në raport u vlerësua edhe Vetingu në gjyqësor, i cili ka sjellë edhe rezultate të prekshme. Shumë raporte janë përmendur dhe janë vlerësuar edhe në luftën kundër krimit të organizuar. Ishte pikërisht KE që vlerësoi se ka pasur përmirësime të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar. Operacionet policore për çmontimin e organizatave kriminale janë intensifikuar. Janë goditur drejtues të grupeve kriminale, përmendet në Raport. Evidentohet suksesi gjithashtu në reduktimin e kultivimit të kanabisit”, – theksoi Lamallari.

I pyetur rreth protestave që do të mbajë opozita, Lamallari u shpreh se këto duhet të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe të mos cenojnë rendin publik, duke nënvizuar se Policia e Shtetit do të marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat