Meta letër votuesve: Mos bini pre e provokimeve të votimeve socialiste

Shqipëria

Meta letër votuesve: Mos bini pre e provokimeve të votimeve socialiste

Më: 28 qershor 2019 Në ora: 13:59
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta nëpërmjet një postimi në Facebook shkruan se data e zgjedhjeve vendore është 13 tetori i 2019. Sipas tij, situata është e qartë dhe e padiskutueshme nga ana ligjore dhe kushtetuese, pavarësisht se kryeministri po insiston për të shkuar në votime socialiste në datën 30 qershor 2019, duke kërkuar që të kapë shtetin dhe të instalojë regjimin njëpartiak.

“Nga dje, data kushtetuese e zgjedhjeve vendore është 13 tetor 2019. Situata është e qartë dhe e padiskutueshme nga ana ligjore dhe kushtetuese. Gjithsesi kryeministri po insiston për të shkuar në votime socialiste në datën 30 qershor 2019. Ju këshilloj ta merrni atë me qetësi e mençuri dhe të mos bini pre e provokimeve, sepse ato u shërbejnë vetëm atyre që duan të legjitimojnë kapjen totale të shtetit dhe instalimin e një regjimi njëpartiak”, shkruan Presidenti, duke bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve.

Kreu u shteti kërkon nëpërmjet këtij postimi që të mos ketë konfrontime me socialistët që do të shkojnë ën votime, pasi dhuna nuk i shërben Shqipërisë.

T’i respektojmë dhe të mos konfrontohemi me të gjithë ata bashkëqytetarë që do të shkojnë në këto votime socialiste.

Konfrontimi dhe dhuna nuk i shërben Shqipërisë dhe së ardhmes së saj europiane, dhe sidomos bashkëjetesës sonë qytetare në çdo familje, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo komunitet dhe në të gjithë shoqërinë tonë. Mos u nervozoni nga provokimet që do t’ju bëhen për t’ju çuar drejt dhunës.

Ndoshta e teproj, por për t’i shijuar tamam votimet socialiste dhe për t’ju rikthyer qoftë dhe për 1 ditë asaj periudhë 45-vjeçare, shoqërojini me dajre e daulle si njëherë e një kohë. Ata vetë do votojnë, vetë do t’i numërojnë.

Të gjithë shqiptarët së bashku, në mënyrë demokratike, të fshehtë, të lirë dhe të ndershme do të zgjedhin vetëm në 13 tetor 2019. Ndaj ju ftoj të ndiqni dhe këtë video për t’u ç’tensionuar sadopak në prag të kësaj fundjave interesante”, apelon Meta teksa ka publikuar një video të votimeve në kohën e diktaturës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat