Akademiku Artan Fuga e ka cilësuar si të dështuar projektligjin për reformimin e Akademisë së Shkencave. Në diskutimet në Komisionin e Medias dhe Edukimit, akademiku tha se nuk është lenë hapësirë për platformat alternative, ndërsa kërkoi edhe ngritjen e një grupi për hetimin e mënyrës si janë përdorur fondet publike nga akademia.
Projektligji i iniciuar nga një grup deputetësh për reformimin e Akademisë së Shkencave është një proces i dështuar. Këtë qëndrim mbi draftin që kërkon të rithemelojë akademinë, akademiku Artan Fuga e mbajti përpara anëtarëve të komisionit të medias dhe edukimit.
Fuga tha se asnjë nga propozimet e bëra prej tij nuk është marrë parasysh nga grupi i punës.
Diskutimet e akademikut sollën debat mes mazhorancës dhe opozitës në komision.
Në vijim të kundërshtimeve të tij për projektligjin dhe mënyrën e funksionimit të akademisë së shkencave, Fuga kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për paratë publike të këtij institucioni.
Propozimet e Fugës mbi draftin nisnin nga rinovimi i brendshëm i akademisë, e deri në heqjen e kontrollit mbi administratën që ka aktualisht kryesia.
Kundërshtime mbi projektligjin patën më herët edhe rektorët e universiteteve.