Basha me grupin Amerikano-Hebraik: Orë e errët për Shqipërinë, s’do heshtim

Shqipëria

Basha me grupin Amerikano-Hebraik: Orë e errët për Shqipërinë, s’do heshtim

Më: 15 korrik 2019 Në ora: 09:52
Pamje nga takimi

Presidenti dhe kryetari i opozitës, takime me delegacionin Amerikano-Hebre. Meta: Ilaçi për zgjidhjen e krizës, respektimi i votës së lirë pranimi i saj nga të gjitha palët. Basha: Nuk dorëzohemi përballë despotizmit lindor

Kryetari i opozitës, Luzim Basha ka takuar dje një delegacion të Komunitetit Amerikano-Hebraik, i kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv David Harris. Pas takimit kreu i PD-së, ka bërë të ditur se opozita ka siguruar miqtë amerikan se do vazhdojë betejën pa kompromis dhe se nuk do të dorëzohet para modelit të despotizmit lindor. Lideri i demokratëve thotë se në vend të dorëzimit para modelit të dështuar të despotizmit, Partia Demokratike së bashku me miqtë dhe me qytetarët shqiptarë  do të vazhdojë betejën deri në fund, me qëllim ruajtjen e demokracisë dhe konsolidimin e saj. Sipas kryedemokratit, beteja e opozitës do të triumfojë dhe parimet demokratike do instalohen në Shqipëri vetëm atëherë kur të përmbushet kushti që shqiptarët të kenë mundësi për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Takim i përzemërt dhe shumë miqësor me delegacionin e Komitetit Amerikano- Hebraik ACJ, të kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv David Harris. I shpreha z. Harris mirënjohjen për mbështetjen e çmuar ndër vite të Shteteve të Bashkuara për demokracinë dhe liritë civile dhe politike të qytetarëve shqiptarë si dhe domosdoshmërinë për ta vazhduar betejën në këtë orë të errët në Shqipëri, për vlerat dhe parimet themelore të zgjedhjeve të lira, barazisë para ligjit dhe ndarjes dhe kontrollit të pushteteve”, thekson Basha.

Takimi i Komitetit Amerikano-Hebre me Ilir Metën

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, deklaroi gjatë takimit me Komitetin Amerikano-Hebre tha se e vetmja mënyrë për të zgjidhur ngërçin në Shqipëri nga kriza e thellë e legjitimitetit, është duke respektuar votën e lirë dhe të drejtpërdrejtë të shqiptarëve, si dhe pranimin e vendimit të tyre përfundimtar nga të gjithë ne. Kjo deklaratë e Presidentit u bë gjatë takimit të tij në Tiranë me delegacionin e Komitetit Amerikan hebraik të vendosur në Nju Jork, i kryesuar nga drejtori i saj, David Harris. Presidenti Meta e informoi delegacionin mbi situatën aktuale në Shqipëri, krizën serioze kushtetuese dhe institucionale që ka përfshirë vendin, si dhe propozimin e tij si President i Republikës për zgjidhjen e krizës përmes mbajtjes së tre zgjedhjeve më 13 tetor, 2019: zgjedhjet lokale, zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet presidenciale. “I vetmi ilaç që shëron vendin nga përfaqësimi aktual dhe kriza e legjitimitetit është respekti i votimit të lirë dhe të drejtpërdrejtë të të gjithë qytetarëve shqiptarë, si dhe pranimi i vendimit të tyre përfundimtar nga të gjithë ne”, tha Meta. Për më tepër, Presidenti siguroi Harrisin dhe delegacionin e tij se miqësia midis shqiptarëve dhe Komiteti Amerikan hebraik do të vazhdojë të forcohet dhe shtoi se bashkëpunimi ekonomik duhet të intensifikohet. Ndërsa, Harris theksoi se miqësia tradicionale midis Shqipërisë dhe kombit hebre është gdhendur në kujtesën e tyre kombëtare jo vetëm për rolin fisnik të shqiptarëve në shpëtimin, mbrojtjen dhe strehimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe për historitë tona të ngjashme si dy popuj që kanë vuajtur gjatë shekujve të ekzistencës së tyre.

Postimi i Bashës:

Ne vend të dorëzimit para modelit të dështuar të despotizmit lindor, ne do të vazhdojmë betejën tonë deri në triumfin e vlerave të përbashkëta perëndimore të lirisë, demokracisë dhe mundësive për çdo shqiptar”. Takim i përzemërt dhe shumë miqësor me delegacionin e Komitetit Amerikano- Hebraik ACJ, të kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv, z. David Harris. I shpreha z. Harris mirënjohjen për mbështetjen e çmuar ndër vite të Shteteve të Bashkuara për demokracinë dhe liritë civile dhe politike të qytetarëve shqiptarë si dhe domosdoshmërinë për ta vazhduar betejën në këtë orë të errët në Shqipëri, për vlerat dhe parimet themelore të zgjedhjeve të lira, barazisë para ligjit dhe ndarjes dhe kontrollit të pushteteve. I sigurova miqtë amerikanë se në vend të heshtjes apo dorëzimit para modelit të dështuar të despotizmit lindor, korrupsionit dhe shkatërrimit të lirisë dhe demokracisë, ne do të vazhdojmë pa kompromis me standardet evropiane dhe amerikane, betejën tonë deri në triumfin e vlerave të përbashkëta perëndimore të lirisë, demokracisë dhe mundësive për çdo shqiptar. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me delegacionin amerikano-hebre në Tiranë. Lideri i demokratëve thotë se  në vend të dorëzimit para modelit të dështuar të despotizmit, Partia Demokratike së bashku me miqtë dhe me qytetarët shqiptarë  do të vazhdojë betejën deri në fund, me qëllim ruajtjen e demokracisë dhe konsolidimit të saj.

Kuvendi

Ditën e enjte, Kuvendi i Shqipërisë pritet që të votojë dy ligjet e mbartura të reformës në drejtësi. Bëhet fjalë për ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” dhe “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Në dy vitet e fundit shumica socialiste kërkoi konsensusin e PD-LSI për të ndryshuar 2 ligjet e Reformës në Drejtësi pas shfuqizimit të 22 neneve nga Gjykata Kushtetuese, pasi duheshin 84 vota, por opozita refuzoi. Nenet kryesore kanë të bëjnë me rregullat për hetimin e shkeljeve nga gjyqtarët e prokurorët, si dhe procedimin e vetë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Me largimin e PD-LSI-së, shumica duket se ka marrë konsensusin e opozitës së re për të kaluar ligjet e mbartura prej dy vitesh në Kuvend.  Sot në orën 11:00 është parashikuar diskutimi i ndryshimeve te Komisioni i Ligjeve, ndërsa të enjten pritet votimi në Kuvend.

ISP: Suksesi i PS në zgjedhje, 200 mijë vota më pak se në 2017

Në një studim krahasues të realizuar nga Instituti i Studimeve Politike, rezulton se zgjedhjet lokale njëpartiake të PS-së kanë diferenca të mëdha në shifra me vitet e kaluara. Sipas ISP, në zgjedhjet e 2019-ës suksesi i PS nuk varet nga mbështetja e vullneti qytetar, por nga fakti që procesi u administrua dhe u realizua vetëm nga një parti, pa konkurrente. “Në të gjitha bashkitë e tjera, PS 2019 ka dukshëm më shumë vota proporcionale sesa më 2015, kur në vitet 2014-2015 PS ishte në kulmin e mbështetjes publike dhe ndërkombëtare dhe në fazën më të rëndësishme të reformave të ndërmarra nga qeverisja e saj e parë. Aktualisht mbështetje publike e PS ka rënë në kuotat tradicionale të saj dhe se 2019 nuk është kohë reformash dhe as ndonjë bilanci pozitiv brenda vendit, në procesin integrues apo në standardet e demokracisë dhe të jetesës. Për këto arsye suksesi absolut i PS më 2019 më shumë i dedikohet procesit me një parti reale konkurruese në zgjedhje dhe administrimit prej saj të procesit të votimit sesa vullnetit real qytetar”.

Studimi i plotë:

Tabela krahasuese e publikuar nga Instituti i Studimeve Politike (www.isp.com.al) tregon se mbështetja proporcionale për PS më 2019 është deri në 400% më e lartë sesa më 2015 në zona si Gramshi, Puka, Peqini, Përmeti, etj, të cilat nuk janë bashki që bëjnë pjesë në modelet e suksesit të qeverisjes së PS. Pas tyre në kuota rreth 300% sukses më 2019 vijnë bashki të tjera të vogla si Fushë Arrëz, Konispoli, Përrenjasi, Pustec, etj. Ato janë bashki periferike me 1000 probleme të trashëguara dhe aktuale, me kapacitete të kufizuara financiare e zhvillimore, me nivel të lartë varfërie dhe në rastin e Gramshit edhe një prej zonave ku ka pasur protesta të komuniteteve qytetare kundër projekteve të mëdha energjetike të imponuara nga oligarkia politike e Tiranës. Tabela e ISP ofron të dhëna të detajuara për secilën bashki, të dhëna që ngjasojnë me quasi-zgjedhjet e vitit 1991, 1996 dhe 1997, – dhe të paimagjinueshme në një sistem demokratik ku kurba e lartë e rritjes së pakënaqësisë ndaj politikës vjen në kontrast të thellë me kurbën e mbështetjes për vetën që ofrojnë partitë me komisionerët dhe grupet e numërimit të tyre në proceset zgjedhore. Teknikisht të dhënat janë legjitime, por politikisht janë tregues se procesi i votimit i datës 30 qershor nuk është as përfaqësues dhe as funksional. Dhe për ta ilustruar këtë le të shohim vetëm të dhënat në dy bashki: Delvinë e Konispol ku 100% e votave për këshillin bashkiak i janë dhënë PS dhe ku suksesi i PS në votë proporcionale është përkatësisht 311% dhe 239% më i lartë më 2019 sesa më 2015.

Riorganizohet PD, korriku dhe gushti muaj sulmi

Për demokratët duket se nuk do të ketë pushime vere. Me urdhër të kryetarit Lulzim Basha, korriku dhe gushti do të jenë muaj sulmi për të bërë një riorganizim të thellë në strukturat e Partisë Demokratike duke filluar që nga baza. Në këtë urdhër të firmosur edhe nga sekretari i përgjithshëm Gazmend Bardhi kërkohet që brenda datës 20 korrik, degët e PD-së të hartojnë një kalendar aktivitetesh politike për periudhën 22 korrik deri më 31 gusht, duke përfshirë takime me anëtarët e partisë, grupet e interesit në zonë, individë me influencë në zonat përkatëse, ish-drejtues të strukturave të partisë apo pushtetit vendor në atë zonë, si edhe verifikim të listave të votuesve për çdo qendër votimi. Po ashtu brenda këtij afati kërkohet edhe një analizë e performancës për të gjitha strukturat në nivel seksioni dhe grupseksioni. Për koordinimin e veprimtarisë organizative Basha ka ngritur edhe një grup pune, ku ka ndarë sipas zonave disa prej figurave kryesore, ish-deputetë të PD-së, që nuk kanë lidhje interesash me qarqet që do mbulojnë. Vetë sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi është deleguar në Shkodër, ndërsa Flamur Noka do të ketë nën kujdestari Elbasanin, Librazhdin e Përrenjasin. Në Durrës do të jetë Gent Strazimir, ndërsa Oerd Bylykbashi ka nën kujdestari Vorën e Rrogozhinën. Edi Palokës i janë ngarkuar Kamza, Kavaja e Paskuqani, Ndërsa për Korçën do të përgjigjen Sahit Dollapi dhe Endri Hasa. Enkelejd Alibeaj do të mbikqyrë riorganizimin në Dibër, ndërsa me Tiranën do të merren Albana Vokshi, Edmond Spaho, Aldo Bumçi, Orjola Pampuri. Këta koordinatorë, sipas urdhrit do të njoftojnë kryetarin një herë në javë apo më shumë kur kërkohet mbi ecurinë e përmbushjes së këtij urdhëri. Basha i ka kushtuar rëndësi afrimit të të personave me kontribute historike në parti, ndërsa ka kërkuar që të ketë riorganizim edhe në organizatat partnere siç i quan ai forumin e gruas dhe FRPD-në. Brenda datës 15 gusht, kreu demokrat urdhëron që degët të plotësojnë edhe të dhënat e anëtarësisë duke marrë kontakt me çdo anëtar për të verifkuar kështu nëse në listë ka anëtarë fiktivë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat