Sot vjen në Shqipëri trupi i Presidentit të vetëshpallur të Çamërisë

Shqipëria

Sot vjen në Shqipëri trupi i Presidentit të vetëshpallur të Çamërisë

Më: 26 korrik 2019 Në ora: 09:07
Festim Lato

Familja e Festim Latos në Vlorë ka hapur dyert e mortit, ndërsa sot në orën 15:00 do të presë në aeroportin e Rinasit trupin e pajetë të 44-vjeçarit që u gjet i vrarë në Holandë ku jetonte prej vitesh.

Festim Lato, president i vetëshpallur i Çamërisë, do të përcillet të shtunën për në banesën e fundit me homazhe të cilat do të mbahen tek “Teatri Petro” në Vlorë.

Autoritetet holandeze konfirmuan dje se trupi që u gjet javën e kaluar në një kanal është i shqiptarit Festim Lato, që ishte vetëshpallur President i Çamërisë. Sipas policisë holandeze ai është vrarë dhe më pas është hedhur në një kanal. 

Vitet e fundit, Lato kishte qëndruar në një shtëpi në Afferden. Jashtë shtëpisë së tij duket flamuri i Holandës, Shteteve të Bashkuara dhe Çamërisë. Por në janar të këtij viti pronari e kishte larguar nga banesa, pasi kishte ankesa pasi hynin dhe dilnin shumë persona duke krijuar shqetësim. Ndërsa në prill të këtij viti Lato u deklarua zyrtarisht i falimentuar nga gjykata e Zutphen. 

Një 44-vjeçar i larguar në moshë të vogël nga Shqipëria, por që jeta e tij ndryshoi tërësisht duke filluar një jetesë luksoze në Holandë. Festim Latos i ishin vënë pas një numër kreditorësh, pasi bashkëpunonte me biznese që nuk paguanin TVSH. Ishin mediat holandeze që shkruanin se Lato kishte borxhe me kompani dhe individë që shkonin deri në miliona euro, ç’ka mund të jetë bërë shkak për vrasjen e tij.  I vetëshpallur si ‘President i Republikës së Çamërisë’ ai lindi në Vlorë në vitin 1976, ndërsa jetonte në Holandë.

Ai e fitoi shtetësinë holandeze, pasi u martua me një turke me shtetësi holandeze.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat