Forcimi i bashkëpunimit Turqi-Shqipëri, ministri i Brendshëm turk viziton Tiranën - Bota Sot
Forcimi i bashkëpunimit Turqi-Shqipëri, ministri i Brendshëm turk viziton Tiranën

Shqipëria

Forcimi i bashkëpunimit Turqi-Shqipëri, ministri i Brendshëm turk viziton Tiranën

Më: 26 korrik 2019 Në ora: 20:22
Süleyman Soylu

Mundësitë për rritjen e bashkëpunimit në funksion të sigurisë publike, kanë qenë fokusi i diskutimeve të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj gjatë takimit me ministrin e Brendshëm të Republikës së Turqisë, Süleyman Soylu gjatë vizitës zyrtare në Tiranë.

Ministri Lleshaj i vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira, duke theksuar se ky është një moment për t’u dhënë një shtysë të re.

Nga ana e tij, ministri Soylu falënderoi Lleshajn për mikpritjen dhe bujarinë.

Ai e cilësoi Shqipërinë si një vend mik dhe marrëdhëniet historike e rrënjësore si të shkëlqyera, me mundësi për t’i çuar përpara. “Shqipëria është një nga vendet e rajonit, me të cilën Turqia bashkëpunon më së shumti”, u shpreh Soylu, duke pohuar se ka disa bashkëpunime funksionale që uron të jenë të vazhdueshme.

Gjatë takimit u trajtuan fushat ku do të ndalet e kërkohet të thellohet bashkëpunimi, mes dy ministrive të Brendshme e Policive përkatëse. Ky bashkëpunim synohet të thellohet mes dy Akademive të Sigurisë, në fushën e luftës kundër krimit ekonomik e financiar, trajnimi i personelit policor, pajisjet për Policinë e Shtetit, si dhe ekspertiza për sistemin e menaxhimit doganor shqiptar.

Ministri Lleshaj veçoi si prioritar bashkëpunimin për luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar, trajnimet e efektivëve dhe pajisjet policore.

Dy ministrat e Brendshëm vizituan më pas, repartin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) në Tiranë, ku pati një prezantim të shkurtër të punës dhe rezultateve të kësaj force, si dhe u panë nga afër ambientet e trajnimit dhe stërvitjes së tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...