Parandalohet vrasja në Tiranë, policia: Si u arrestua shkodrani i dënuar me 20 vite burg

Shqipëria

Parandalohet vrasja në Tiranë, policia: Si u arrestua shkodrani i dënuar me 20 vite burg

Më: 14 gusht 2019 Në ora: 10:31
Foto ilustrim

Një vrasje është parandaluar mbrëmjen e djeshme në Tiranë.

Përmes një deklaratë për shtyp nga policia e Shtetit u bë me dije se është finalizuar operacioni policor i koduar “Parandalimi”.

Parandalohet një vrasje dhe vihet në pranga një person shumë i kërkuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Sipas policisë mbrëmë rreth orës 20:50 është marrë njoftimi nga ana e shërbimeve të Seksionit të Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë së në rrugën “Bilal Xhaferi”, ndodhej një person i cili bënte lëvizje të dyshimta dhe dyshohej se kishte armë zjarri me vete.

“Policia ka organizuar punën duke bërë lokalizimin e menjëhershëm të personit të dyshuar.

Shërbimet e Policisë kanë mbajtur nën kontroll personin duke bërë të mundur që me metoda të shpejta proaktive në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe Shkodër të identifikonin personin e dyshuar, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Shërbimet policore kanë ndërhyrë menjëherë duke e neutralizuar dhe shoqëruar në komisariatin e Policisë Nr. 2, shtetasin Sadetin Erkoçeviq, 28 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër”, thuhet në njoftim.

 Këtij shtetasi në momentin e kontrollit i është gjetur në çantën e dorës një armë zjarri pistolete e tipit Bereta, me 14 fishekë dhe një fishek në fole gati për qitje.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendim të formës së prerë në datën 15.02.2018, e ka dënuar me 20 vjet burg për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje te armeve e municioneve luftarake”.

Më datë 10.05.2014, në fshatin Zeus në një lokal me muzikë live, autori Sadetin Erkoçeviq ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasin I.Y. dhe ka plagosur një tjetër.

“Ky është rasti më i mirë për të falënderuar edhe njëherë qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin që ata po krijojnë çdo ditë e më shumë. Kjo dëshmohet nga rritja e telefonatave në numrin unik 112 dhe e denoncimeve në Komisariatin Dixhital për paligjshmëri në të gjitha fushat.

Vetëm gjatë muajit korrik dhe gjysmën e parë të muajit gusht falë bashkëpunimit me qytetarët janë kapur 38 persona që qarkullojnë me armë zjarri, si dhe janë sekuestruar mbi 60 armë zjarri të kalibrave të ndryshëm dhe municoin luftarak.

Nga 275 operacione të koduara të zhvilluara nga strukturat e Policisë së Shtetit gjatë këtij 8 mujori, 123 prej tyre janë si rezultat i bashkëpunimit me komunitetin.

Policia e Shtetit fton edhe njëherë aleatin e saj më të çmuar, qytetarët që të bashkëpunojnë akoma më shumë me Policinë, të mbështesin Policinë, të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, në Komisariatin Dixhital, duke garantuar anonimatin dhe një reagim të shpejtë e të paanshëm!”, njofton policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat