Përplasjet mes presidentëve dhe kryeministrave në demokraci

Shqipëria

Përplasjet mes presidentëve dhe kryeministrave në demokraci

Më: 20 gusht 2019 Në ora: 19:01
Presidentët dhe kryeministrit shqiptarë

Që prej 18 shkurtit, ditë kur kryetari i Partisë Demorkatike Lulzim Basha  dogji mandatet e deputetëve në Kuvend, Shqipëria gjendet në një krizë, që shumë e quajnë institucionale, të tjerë përfaqësimi dhe të tjerë antiligjore. Dalja nga institucionet e opozitës së bashkuar shqiptare kishte si qëllim bojkotimin e zgjedhjeve lokale, të dekretuara nga presidenti Ilir Meta më 30 qershor.

Por asnjë nuk mundi ta parashikojë krizën e thellë në të cilën do të hynte vendi, teksa mazhoranca nuk tërhiqej nga vendimi për të zhvilluar zgjedhje pa garë, ndërsa opozita këmbëngulte se vjedhja e votave do të përsëritej dhe më 30 qershor.

Në këto kushte, më datë 8 qershor, presidenti Ilir Meta thirri një konferencë të jashtëzakonshme, e ndërsa ende pa nisur, u artikulua se një vendimi  i rëndësishëm do të merrej për 30 qershorin.

Meta: Kam vendosur të shfuqizoj Dekretin nr.10928, datë 05.11.2018 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019.

Pas kësaj deklarate, një lumë përplasjesh, debatesh, akuzash dhe argumentash pro dhe kundër do të nisnin mes kreut të ekzekutivit Edi Rama dhe presidentit të Republikës Ilir Meta. Përplasje kjo që do të hynte në historinë e Shqipërisë, si më e forta dhe më e rënda ndonjëherë.

Por kjo nuk ishte e para dhe e vetmja. Nëse do të analizonim marrëdhëniet mes presidnetëve dhe kryeministrave pas rrëzimit të diktaturës dhe instalimit  të demokracisë, do të duhet të kujtonim se këto 17 vite kanë qenë me stërkëmbësha, me akuza dhe me marrëdhënie që dukeshin se nisnin të paqta, por që gjatë rrugës nxisnin konliktualitet.

Alfred Lela: Ka qenë i përveçëm në të gjitha rastet dhe gjithnjë është përkufizuar si konfliktual, me magnituta të ndryshme, të gjitha konfliktuale në një formë apo në një tjetër.Institucionet tona s'kanë ditur ta luajnë lojën e pavarësisë apo të ndalurit. E kanë luajtur keq edhe konfliktualitetin.

Arion Sulo: Meidani është më i miri që e ka përfaqësuar më mirë institucionin e presidencës, mbi palët dhe me dinjitet. Përplasjet për Kryeministrin dhe qeverinë janë të natyrshme, nuk mund të përjashtohen. Pushtetin në republikën parlamentare e ka parlamenti dhe ekzekutivi. Krahasuar me vendet e Europës perërndimore fqinje ne nuk bëjmë përjashtim. Pastaj shkalla e ndërhyrjes dhe konflikti si ky që kemi është një rast i rrallë që mazhoranca ka marrë nismën për shkarkim. Meta ka një rol që nuk e hasim në vende të tjera.

Në mesin e përplasjeve mes 2 institucioneve më të rëndësishme në vend, ajo që mbahet mend si raporti më i qetë dhe i buzëqeshur është ai mes kryeminsitrit të kohës Fatos Nano dhe presidentit Rexhep Meidani.

Fill pas përfundimit të mandatit të presidenit Meidani, politika shqiptare do të ndërmerrte një hap të rëndësishëm, zgjedhjen e presidentit konsensual.

Për analistët, zgjedhja e Alfred Moisiut si president konsensual përkon dhe me fillesat e ndërhyrjes së ndërkombëtarëve në arenën politike shqiptare.

Alfred Lela: Erdhi si kandidaturë e Berishës. Doli nga hija politike dhe u bë një president kontraversial me përplasje. U thirr nën armë për të sjellë paqen, kërkesë e ndërkombëtarëve. Kur Berisha erdhi në pushtet dhe Moisiu e dinte veten në pushtet, se kjo ka qenë arsyeja e përplasjes, kush e ka pushtetin. Moisiu duke qenë ushtarak dhe në fund të karrierës, nuk kishte gjë për të humbur. Nuk ra për këtë "ofertë" të Berishës dhe erdhi konfliktualiteti.

Kjo formulë, e realizuar vetëm në rastin e presidentit Moisiu, duket se do të ishte efikase në shmangien e konflikteve të mundshme, por aktorët politik  nuk i krijuan kurrë kushtet që të përsëritej.

Kriza të herëpashershme dhe marrëdhënia konfliktuale mes pushteteve më të rëndësishme në vend, atij presidencial dhe ekzekutiv kanë ndodhur rëndom gjatë 30 viteve tranzicion në vendin tonë. E duket se për këtë, një pjesë e mirë e përgjegjësisë bie dhe mbi marrëveshjen Rama-Berisha të vitit 2008.

Ndërsa ndryshimeve kushtetuese të 2008, i mbivendoset kriza e përfaqësimit dhe pushteti i kryetarëve të partive.

Përplasja Rama-Meta shihet si konflikti më i fortë dhe më i zgjatur në kohë në historinë e vendit, e për këtë, arsyeja mund të jetë vetëm interesi dhe pushteti.

Arion Sulo: Mendoj se Meta është president jashtëzakonisht i fortë, edhe me pak kompetenca ai është aktor politik, gabojnë ata që thonë se Rama gaboi kur e zgjodhi se se dinte ça do ndodhte. Meta është zgjedhur nga votat e veta  në 2013. Marrëveshja e 2013 Rama-Meta ka qenë që forca e parë do zgjidhte Kryeministrin dhe e dyta Presidentin.  Ajo që ka ndodh më vonë është çështje rivaliteti. Shkëputja, prishja e koalicionit PS-LSI. Interesat politike të tyre çojnë në këtë përplasje. Përpos gjërat e tjera, reforma në drejtësi, mosdekretimi. Ajo që shoh të re është interesi politik, janë në luftë permanente për drejtimin e të majtës. Meta ka ambicien për të marrë konfederatën e majtë.

Në mes të krizës që vazhdon dhe artikulimeve që e gjejnë zgjidhjen e kësaj situate me afrimin e shtatorit, duket se zgjidhja e vërtetë e mundshme do të jetë ngritja e institucioneve të drejtësisë, çka vulos një herë e mirë mungesën e kapaciteteve të politikanëve shqiptarë për të zgjidhur krizat që po ata vetë krijojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat