Shkarkimi i Metës/ Delegacioni i “Venecia” të hënën në Tiranë, zbardhet axhenda e tyre

Shqipëria

Shkarkimi i Metës/ Delegacioni i “Venecia” të hënën në Tiranë, zbardhet axhenda e tyre

Më: 7 shtator 2019 Në ora: 15:10
Komisioni i Venecias

Ekspertët e Komisionit të  Venecias do të vizitojnë Tiranën në fillim të javës për t’u njohur me qëndrimet e të gjithë palëve, mbi nismën e ndërmarrë për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Në faqen zyrtare të Komisionit të Venecias është publikuar axhenda e 4 ekspertëve të këtij komisioni, që do të mbërrijnë të hënën në Tiranë.

Opinioni i Komisionit të Venecias për Presidentin e Republikës, nëse e ka shkelur apo jo Kushtetutën dhe a duhet shkarkuar, kërkesë kjo e bërë nga Kuvendi, do të miratohet në mbledhjen e tyre mbi këtë çështje, që do të zhvillohet në muajin Tetor.

Pavarësisht nismës dhe punës së Komisionit Hetimor Parlamentar, maxhoranca është shprehur se fati i Presidentit Meta, do të varet nga verdikti i Venecias.

Ata vijnë në ditën kur Meta do të përballet me Komisionit hetimor Parlamentar, që kryesohet nga Ulsi Manja dhe është ngritur me qëllim shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Takimet e para të delegacionit të Venecias do të zhvillohen në martën me përfaqësuesit politikë të dy kampeve parlamentare.

Ata do të takohen edhe me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe pasditen e 19 Shtatorit kanë planifikuar një takim edhe me Presidentin, Ilir Meta.

Gjithashtu delegacioni do të takojë gjatë qëndrimit në Tiranë edhe Kryeministrin Edi Rama, ministrin e Brendshëm Lleshaj, si dhe anëtarët dhe kreun e KQZ-së.

Po ashtu do të ketë takime edhe me anëtarët e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës, si dhe me Vitore Tushen, e vetmja anëtare e mbetur e Gjykatës Kushtetuese.

Anëtarët e Komisionit të Venecias, ndryshe nga herët e kaluara, në vizitën e radhës nuk kanë planifikuar takime me drejtuesit e Partisë Demokratike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat