Ndryshimet në kodin penal/ Gjonaj: Të rrëzohet dekreti i Metës

Shqipëria

Ndryshimet në kodin penal/ Gjonaj: Të rrëzohet dekreti i Metës

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 12:28
Etilda Gjonaj

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj duke folur për kthimin e projektligjit të Presidentit të Republikës për ndryshimet në Kodin Penal, tha se argumentet që ka sjellë kreu i shtetit në nuk qëndrojnë.

“Në fakt, duke pasur në konsideratë rolin që ka Presidenti, si kryetar i shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit, nuk do të duhej të vononte hyrjen në fuqi të Kodit penal, të kthente pa shkaqe të ligjshme kushtetuese, një nismë me rëndësi të madhe për sigurinë, jetën dhe shëndetin e qytetarëve shqiptar; në kufijtë te edhe te nje abuzimi qe i është dhëne nga kushtetuta.

Arsyetimi për kthimin e këtij ligji të rendësishëm qëndron në paqartësinë, të një dispozite të tij sipas institucionit të Presidentit dhe mbivendosje të mundshme të kësaj norme me nene të tjera të kodi penal”, tha Gjonaj.

Fjala e plotë

Siç jeni në dijeni, të gjithë ne bashkarisht, duke përfshirë edhe ekspertët më të mirë të Kuvendit, Ministrisë së Drejtësisë, Kryeministrisë, dhe një sërë grupesh interesi dhe aktorësh të tjerë, punuam për disa ndryshime emergjente të kodit penal.

Kjo në vlerësim të nevojës të jashtëzakonshme të forcimit të politikës penale, veçanërisht në luftën dhe parandalimin e disa fenomeneve që po shfaqeshin rrezikshëm në shoqërinë tonë, si goditja e punonjësve që kryejnë detyra shtetërore, veprimet e dhunshme në sport, veçanërisht edhe krimet kundër mjedisit dhe së fundmi, edhe tregtimi i ushqimeve të rrezikshme që cënojnë jetën dhe shëndetin e njerëzve.

Përhapja e shpejtë e këtyre veprimeve, të cilat kanë ndikime të mëdha në autoritetin e shtetit dhe jetën dhe sigurinë e qytetarëve shqiptare, nxiten pikërisht Kuvendin, që nëpërmjet propozimit të një grupi deputetësh, të miratonte ndryshimet e Kodit Penal.

Miratimi i tyre nga Kuvendi, dërgoi një mesazh shumë të qartë për çdo qytetar dhe çdo shtetas që ndërmerr këto veprime, që guxon të sfidojë dhe të kalojë limitet e autoritetit të shtetit, qe të cënojnë jetën dhe shëndetin e bashkëqytetarëve nëpërmjet cënimit të sigurisë ushqimore, apo edhe nëpërmjet ndotjeve të ndryshme për mjedisin.

Gjithashtu, për fat të keq, Presidenti i Republikes nuk e vleresoi në të njëjtën rendësi jetën dhe shëndetin e qytetarëve shqiptar, por çmoi që disa çështje dhe aspekte të teknikës legjislative, mund të përmirësoheshin, ishin shkak i mjaftueshëm për ushtrimin e të drejtës që i është dhënë nga Kushtetuta për të kthyer ligjin për rishqyrtim.

Në fakt, duke pasur në konsideratë rolin që ka Presidenti, si kryetar i shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit, nuk do të duhej të vononte hyrjen në fuqi të Kodit penal, të kthente pa shkaqe të ligjshme kushtetuese, një nismë me rëndësi të madhe për sigurinë, jetën dhe shëndetin e qytetarëve shqiptar; në kufijtë te edhe te nje abuzimi qe i eshte dhene nga kushtetuta.

Arsyetimi për kthimin e këtij ligji të rendësishëm qëndron në paqartësinë, të një dispozite të tij sipas institucionit të Presidentit dhe mbivendosje të mundshme të kësaj norme me nene të tjera të kodi penal.

Në vlerësimin e Ministrisë së Drejtësisë, si dhe të çdo eksperti që ka punuar në hartimin e këtyre ndryshimeve, dispozita së cilës i është referuar Presidenti, konkretisht paragrafi 4 i nenit 121, është krejtësisht e qartë dhe nuk krijon kurrsesi mbivendosje me dispozitat e tjera të Kodit Penal.
Të nderuar deputetë,

Për shkak edhe të nevojës për të informuar çdo qytetar shqiptar, më lejoni të shpjegoj dhe të theksoj se dispozitat janë hartuar nga juristët më të mire që administrata shtetërore ka në dispozicion, si dhe janë konsultuar me të gjithë grupet e interesit, si dhe institucionet ligjzbatuese pavarësisht kohës së shkurtër të cilën patën në dispozicion për miratimin e këtyre të gjithave.

Më lejoni gjithashtu që t’u bëj me dije qytetarëve, që të gjitha ndryshimet e propozuara që lidhen me veprat penale në fushën e mjedisit, janë në fakt, transpozimi i plotë i Direktivës të Bashkimit Evropian për Mbrojtjen e Mjedisit përmes Ligjit Penal. Marrëdhëniet që mbrohen si dhe gjuha e përdorur në këto nene, është e njëjtë me marrëdhëniet që shoqerohen edhe në gjuhën e përdorur nga direktivat e BE.
Shpreh keqardhje për këtë mungesë bashkëpunimi institucional nga ana e zyrës së Presidentit të Republikës, sidomos në një moment kyç – si ky i tanishmi – për zbatimin e reformave dhe hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Dëshiroj të theksoj se, janë bërë deri më sot përpjekje të jashtëzakonshme nga stafet teknike të ministrive dhe eskpertët e organizatave partnere që na mbështesin me qëllim realizimin e angazhimeve të ndërmarra në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Vetëm gjatë vitit 2019, janë ndërrmarrë një sërë nismash ligjore që tregojnë qartasi angazhimin e paekuivok e pa kompromis të qeverisë kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar ne vecanti:

– Kemi miratuar aktet nënligjore për mbështetjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, grantimin e sigurisë së gjyqtarëve e prokurorëve dhe krijimin e kushteve për funksionimin e Gjykatës dhe Prokurorisë se Posacme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

– Kemi miratuar regjimin e posacëm të ashtuquajtur 41 bis në sistemin e burgjeve, përmes së cilit do të izolohen me masa restriktive elementët më të rrezikshëm kriminalë, që mbajnë lidhje me organizatat kriminale jashtë burgjeve, I cili në bashkëpunim dhe me institucionet e tjera përgjegjëse është në fazën e zbatimit të tij

– kemi përgatitur paketën e 5 projektligjeve që do të jenë gjithashtu një instrument i mirë ligjor për të luftuar kriminalitetin dhe që do të ndihmojnë në ekzekutimin e vendimeve penale dhe atyre alternative.
– janë marrë një sërë masash nëpërmjet akteve nënligjore dhe investimeve për të rritur sigurinë në institucionet përgjegjëse për zbatimin e vendimeve gjyqësore penale.

– në një kohë rekord nënshkruam dhe ratifikuam Marrëveshjen me Eurojust, që do ti japë një mundësi më shumë Shqipërisë për të luftuar krimin e organizuar. Gjatë kësaj periudhe Ministria e Drejtësisë ka ndjekur në mënyrë të vazhdueshme të gjitha detyrimet që institucionet përgjegjëse duhet të përmbushin me qëllim që Shqipëria të jetë anëtare në Eurojust.

Dhe së bashku me Institucionet përgjegjëse kemi plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë të lëna nga Eurojust në Hagë, duke mirëpritur vlerësimin final të kësaj Agjensie te Bashkimit Europian, i cili do ti japi mundësinë Shqipërisë që pavarësisht se nuk është vend i Bashkimit Evropian të jetë anëtarë me të drejta të plota për të luftuar kriminalitetit me karakter transancional.

Jemi të ndërgjegjshëm se ka shumë për të bërë, por kemi treguar me akte e fakte konkrete angazhimin dhe vullnetin tonë për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë se ishte dje dhe për ta bërë atë pjesë të familjes së madhe europiane.

Për këtë arsye, cdo vonesë apo pengesë në këtë proces reformash rrënjësore përbën vonesë apo pengesë në proceset integruese të Shqipërisë, që janë tashmë më të nevojshme se kurrë.

Të nderuar kolegë,

Siç të gjithë bashkarisht e kemi konstatuar, argumentat e përdorura nga Presidenti për kthimin e kësaj nisme kaq të rendësishme nuk qendrojnë. Veçanërisht po të marrim në konsideratë kohën kur kjo nismë u miratua, që i përgjigjej sjelljeve të dhunshme në sport, goditjeve ndaj punonjësve të policisë së shtetit, nevojës për siguri ushqimore dhe mbrotjen më të lartë të mjedisit. Për këtë shkak, ju ftoj të gjithëve qe bashkarisht të votojmë rrëzimin e dekretit të Presidentit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat