Pjesëtarë të FA të Shqipërisë vizitojnë FSK-në

Shqipëria

Pjesëtarë të FA të Shqipërisë vizitojnë FSK-në

Më: 3 tetor 2019 Në ora: 15:07
Foto nga takimi

Pjesëmarrësit dhe stafi akademik i kursit të lartë për Mbrojtje dhe Siguri i Akademisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, kanë vizituar sot Ministrinë e Mbrojtjes në Kosovë, ku janë njoftuar me historikun e ngritjes, zhvillimit dhe tranzicionit të Forcës së Sigurisë të Kosovës.

Delegacioni nga Shqipëria i kryesuar nga zëvendëskomandanti i Akademisë njëherësh edhe  përgjegjës i kursit, kolonel Edmond Vraneshi, u prit nga drejtori i departamentit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe integrime euro-atlantike, kolonel Agron Bajrami, i cili në emër të drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes vlerësoi lart vizitën e kursantëve nga Shqipëria, Greqia, Britania e Madhe, Gjeorgjia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Italia.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, kolonel Haki Hoti, drejtor i Departamentit për Transformim, Modernizim dhe Standardizim, bëri një prezantim lidhur me historikun e ngritjes, zhvillimit dhe tranzicionit të Forcës së Sigurisë të Kosovës, duke filluar nga Rishikimi i Strategjisë së Sektorit të Sigurisë së Kosovës, miratimi i ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në dhe tani për Procesin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të Forcës.

“Gjithashtu, oficerët pjesëmarrës të kursit me anë të pyetjeve shprehën interesimin e tyre për tematikën e prezantuar lidhur me ngritjen dhe zhvillimin e Forcës, procesin e tranzicionit dhe planet për zhvillimin e saj në të ardhmen. Oficerët e lartë, pjesë e delegacionit të KLMS-së, vizituan edhe Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së në kazermën ,,Adem Jashari’ në Prishtinë, si dhe Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në kazermën ,,Skënderbeu’’ në Ferizaj, ku u njoftuan nga afër me misionin, detyrat dhe aktivitetet e tyre. Qëllimi mësimor i vizitës së KLMS-së ishte njohja me institucionet e sigurisë shtetërore dhe ndërkombëtare që operojnë në Kosovë, dhe se si është institucionalizuar koncepti i sigurisë bashkëpunuese në rastin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat