Ruçi letër skeptikëve për hapjen e negociatave: Verifikoni reformat

Shqipëria

Ruçi letër skeptikëve për hapjen e negociatave: Verifikoni reformat

Më: 10 nëntor 2019 Në ora: 16:07
Gramoz Ruçi

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka kërkuar nga tre vendet që votuan kundër çeljes së negociatave, Francës, Holandës  dhe Danimarka që të verifikojnë përmbushjen e reformave të bëra.

Përmes një letre zyrtare dërguar homologëve evropian, Ruçi u kërkoi vendeve skeptike që përmes një vizite të mundshme, të vërejnë nga afër arritjet e vendit në plotësimin e standardeve të integrimit.

“Kuvendi, qeveria, institucionet dhe qytetarët shqiptarë kanë bërë më të mirën për të përmbushur me sukses rekomandimet e Komisionit dhe të Këshillit Europian për pesë prioritetet kyçe të reformave integruese: reformës kurajoze e unike në drejtësi, luftën kundër  korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformës së administratës  publike dhe garantimit e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e pronësisë,"-shkroi Kreu i Kuvendit.

Në letër, Ruçi shkruan se vendimi negativ nuk i ka dekurajuar shqiptarët, duke theksuar se reformat do të vijojnë për të mirën e vendit.

"Vendimi i Këshillit Europian, edhe pse i pamerituar dhe që nuk i përgjigjet të vërtetës për rezultatet e Shqipërisë,  nuk na dekurajoi, por, përkundrazi, na nxit për të ecur më shpejt e me performancë më të mirë drejt përmbushjes së kritereve për çeljen sa më shpejt të negociatave.  

Ne e kemi të qartë se reformat integruese nuk janë qëllim në vetvete, por i shërbejnë zhvillimit të Shqipërisë, mirëqenies së qytetarëve si edhe stabilitetit,"-shkroi Ruçi.

Kryeparlamentari Ruçi falënderoi edhe Gjermaninë për mbështetjen, duke u shprehur se vota Pro e Bundestagut u përjetua nga populli shqiptar si një votë e të gjithë Bashkimit Europian dhe u prit me një entuziazëm të pashoq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat