Bregu: Rajoni ka shpresa të mëdha tek presidenca kroate e Këshillit të BE-së

Shqipëria

Bregu: Rajoni ka shpresa të mëdha tek presidenca kroate e Këshillit të BE-së

Më: 20 nëntor 2019 Në ora: 10:46
Majlinda Bregu dhe Andrej Plenkoviç

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, u takua në Zagreb me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç.

Bregu tha se një nga përparësitë e presidencës kroate të Këshillit të Bashkimit Evropian, e cila fillon në janar të vitit 2020 për një periudhë gjashtë mujore, thekson përdorimin e potencialit të plotë të infrastrukturës dhe të burimeve njerëzore, konjektivitetit dhe rrjetëzimit të ekonomive, duke përkuar kështu shumë mirë me objektivin e bashkëpunimit rajonal të shprehur qartë në Planin e Veprimit të Zonës Rajonale Ekonomike.

“Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë pritshmëri të larta nga presidenca kroate, ndaj ne e falënderojmë Kroacinë si mbështetëse të fortë të integrimit evropian të të gjithë rajonit”, tha Bregu.

Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal shtoi se deri më tash, zbatimi i Planit të Veprimit MAP REA ka sjellë disa rezultate të prekshme për qytetarët, siç dëshmohet, për shembull, nga marrëveshja rajonale për roaming pa tarifa shtesë, e cila u arrit në prill të këtij viti dhe po zbatohet, duke sjellë ulje të ndjeshme çmimesh.

“Në këtë kontekst, Samiti i BE-së në Zagreb në maj të vitit që vjen, mund të jetë momenti ideal për të lançuar së bashku Udhërrëfyesin për marrëveshjen pa tarifa roaming ndërmjet BE-së dhe rajonit”, vijoi Bregu duke e veçuar këtë iniciativë, si një prej nismave që mund të nisen në mënyrë të përbashkët gjatë presidencës kroate.

Nisma të tjera janë ato që kanë të bëjnë me promovimin e fuqizimit të grave dhe të vajzave, lançimin e një projekti për të rinjtë , etj.

Kryeministri Plenkoviç shprehu mbështetjen e tij të plotë për bashkëpunimin rajonal dhe për përpjekjet që po bën RCC-ja në këtë drejtim, duke theksuar se organizata ka ndihmuar tashmë rajonin dhe mund ta ndihmojë atë më tej në rrugëtimin drejt BE-së.

Ai shtoi se nuk ka asnjë magnet tjetër, përveç BE-së, që mund ta orientojë rajonin në rrugën e duhur.

Takimi është pjesë e konsultimeve të rregullta që kryen Sekretarja e Përgjithshme Bregu me udhëheqësit e BE-së dhe të rajonit.

Ky takim u mbajt në prag të Kongresit Vjetor të EPP-së, e cila fillon sot punimet në Zagreb.

Bregu është ftuar të mbajë një fjalë në panelin e nivelit të lartë, ku do të diskutohen sfidat dhe përgjegjësitë e përbashkëta që ndajnë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat