Majko: Votimi i emigrantëve duhet të jetë pjesë e reformës zgjedhore

Shqipëria

Majko: Votimi i emigrantëve duhet të jetë pjesë e reformës zgjedhore

Më: 18 shkurt 2020 Në ora: 17:43
Pandeli Majko

Votimi i emigrantëve do të bëhet pjesë e diskutimeve për reformën zgjedhore. Ministri Pandeli Majko thekson se kjo e drejtë kushtetuese duhet të vihet në zbatim. Ministri i shtetit për Diasporën, Pandeli Majko do të kërkojë përfshirjen e votimit të emigrantëve në diskutimet për reformën zgjedhore. Sipas tij kjo është një e drejtë e cila nuk duhet të vihet në diskutim.

Pandeli Majko: Unë mendoj se kjo është një e drejtë kushtetuese. Në Kushtetutën e Shqipërisë ne kemi moshën dhe shtetësinë si dy kushte të vetme për të drejtën e votës. Në Kodin Zgjedhor ne kemi dhe vendbanimin.

Deklarata është bërë në nënkomisionin për diasporën ku u raportua mbi aktivitetet dhe investimet e realizuara. Ruajtja e traditës shqiptare shfaqet qartë dhe në komunitetin që jeton në Ukrainë, u shpreh Elona Bano.

Elona Bano: Komunitet që i është dhënë një vëmendje e veçantë është komunitetit shqiptar i Ukrainës, i cili prej 500 vjetësh duke mos pasur kontakte të vazhdueshme me shtetin amë, ka ruajtur traditat dhe vlerat shqiptare.

Për të ruajtur gjuhën dhe vlerat kombëtare, në fokus mbetet përhapja e gjuhës shqipe, tha Mimoza Hysa.

Mimoza Hysa: Ka për mision mbrojtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe në shkollat në diasporë. Mbështetjen e shkollave të diasporës me tekste shkolle dhe materiale plotësuese, apo dhe trajnimin e mësuesve në diasporë.

Në diskutime Majko ka theksuar se do të zhvillohet një diskutim i posaçëm mbi reformën zgjedhore ku në qendër të vëmendjes do të jenë emigrantët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat