Falja e qerave për 2 muaj, Tatimet nxjerrin udhëzimin si duhet të procedojnë qiradhënësit dhe qiramarrësit

Shqipëria

Falja e qerave për 2 muaj, Tatimet nxjerrin udhëzimin si duhet të procedojnë qiradhënësit dhe qiramarrësit

Më: 4 prill 2020 Në ora: 17:55
Foto ilustrim

Akti normativ i miratuar nga qeveria për pezullimin e qerave për banesa apo biznese për dy muaj për shkak të epidemisë të shkaktuar nga COVID-19 ka bërë që Drejtoria e Tatimeve të marrë një sërë masash. Përmes një njoftimi zyrtar, Tatimet njoftojnë të gjithë ata persona të cilët janë qiradhënës, të cilëve u është pezulluar aktiviteti i tyre si pasojë e gjendjes së epidemisë si dhe studentë qiramarrës dhe ka një kontratë qeraje, të cilët kanë marrëdhënie individ-individ duhet të plotësojnë formularin, në të cilin duhet të shënojnë të dhënat personale, numër kontrate, NID i qiradhënësit, të dhënat e qiradhënësit. Po ashtu, duhet të shënohen edhe data e lidhjes dhe përfundimit të kontratës si dhe vlera e pagesës mujore.

Ndërsa kur marrëdhënia midis palëve është Individ me Tatimpagues, duhet të plotësohet një tjetër formular në të cilën duhet të shënohen të dhënat personale të qiradhënësit dhe qeramarrësit, numri i kontratës, NIPT i qiradhënësit si dhe NID i qiradhënësit. Po ashtu, edhe për këtë marrëdhënie, duhet të saktësohet data e fillimit dhe mbarimit të kontratës dhe vlera mujore që paguan. Në çdo rast aplikimit i duhet bashkëlidhur kopje e kontratës së qirasë apo çdo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien kontraktuale.

Personat fizikë ose juridikë të regjistruar, duhet të aplikojnë në llogarinë e tyre në e-filing, tek menuja “Çështjet e mia”, duke ngarkuar Formularin e aplikimit duke plotësuar të dhënat e përcaktuara kur marrëdhënia midis palëve është Tatimpagues me Tatimpagues Në këtë formular, duhet të shënohet numri seria i certifikatës së regjistrimit, të dhënat e sakta të qiradhënësit si dhe NIPT dhe NID i tij. Po ashtu edhe për qeramarrësin duhet të plotësohet e njëjta gjë, si dhe data e lidhjes dhe e përfundimit të kontratës dhe vlera mujore.

Ndërsa kur marrëdhënia është Tatimpagues me Individ, Tatimet bëjnë me dije se duhet të plotësohen të dhënat e qiradhënësit dhe qiramarrësit, si dhe NIPT dhe NID i tyre, duke përfshirë kohëzgjatjen e kontratës dhe vlerën mujore. Në çdo rast aplikimit i duhet bashkëlidhur kopje e kontratës noteriale të qirasë.

Të gjithë qiramarrësit e përcaktuar më lartë në këtë njoftim, të cilët kanë ankesë për moszbatim të Aktit Normativ nga ana e qiradhënësit, pasi të kenë plotësuar të gjithë procedurën më sipër, të dërgojnë një email në adresën [email protected] , me objekt/titull të Email-t, NIPT në rastin e Personave fizikë/juridikë të regjistruar, dhe NID (Numri Unik i Identifikimit) të Letërnjoftimit në rastin e individëve apo studentëve, duke përshkruar arsyen e ankesës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat