Turizmi, Gërxhani: Nëse nuk dalim me sa më pak dëme deri në 2021-in, e vështirë që ky sektor të ngrihet

Shqipëria

Turizmi, Gërxhani: Nëse nuk dalim me sa më pak dëme deri në 2021-in, e vështirë që ky sektor të ngrihet

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 20:14
Klinton Gërxhani

Sektori i turizmit është ndër më të goditurit në vend, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Për zv.kryetarin e Shoqatës Tuoperator Klinton Gërxhani, qeveria duhet të ulet bashkë me këtë sektor dhe të parashikojë mënyrën për ta nxjerrë me sa më pak dëme këtë sektor para pranverës së vitit 2021.

Në një një lidhje përmes Skype për Ora News, ai tha se nëse kjo nuk do të realizohet, do të jetë e vështirë ngritja e këtij sektori.

Klinton Gërxhani: ”Ne kemi përballë vjeshtën ku nuk e dimë se çfarë do ndodhë. Nëse edhe në vjeshtë nuk bëjmë biznes, pasi në dimër nuk bëjmë dot. Qeveria së bashku me ne por dhe me aktorë të tjerë, duhet të ulet dhe të parashikojmë se si ta nxjerrim këtë sektor me sa më pak dëme deri në pranverën e 2021-shit. Nëse ne nuk kapim pranverën e 2021-it, ky sektor i ngritur në 20 vjet, është e vështirë të ngrihet për 2 vjet. Ndoshta do duhen 10 ose 20 vjet.”

Për Gërxhanin, agjensitë turistike dhe turoperatorët janë kategoria më e dëmtuar.

Klinton Gërxhani: ”Kjo është kategoria më e dëmtuar në të gjithë spektrin e turizmit sepse ato pak lëvizje që kemi, tentojnë të shkojnë direkt në hotelet përkatëse. Klientelat shqipfolëse, duke përfshirë ato të Kosovës e Maqedonisë, tentojnë të mos rezervojnë përmes agjensive turistike në vend, megjithëse nuk ka qenë një traditë e konsoliduar në përgjithësi. Operatorët turistikë dhe turoperatorët kryesisht janë mbajtur me tregun e huaj se sa me tregun vendas. Meqë ai treg i huaj mungon, jemi në një situatë shumë të vështirë, sepse pothuajse turoperatorër vendas janë pa anjë lloj biznesi.”

Duke komentuar shifrat e Instat, Gërxhani tha se ka ka 50% më pak turistë nga Kosova e Maqedonia, ndërsa tregu i huaj mbetet në minimum.

Klinton Gërxhani: ”Shifrat e fundit të Instat, tregojnë që dhe tregu kryesor i Kosovës dhe Maqedonisë janë në gjysmën e tij, pra 50% më pak turistë se vitet e shkuara. Gjithçka tjetër është më pak se kaq, dhe tregu i huaj është në minimum. Kjo tregon që dëmi është shumë i madh, edhe për vetë hotelet që kanë atë pak punë sot. Në mos agjensitë turistike, edhe hotelet do e vuajnë këtë pjesë, gjithë zinxhiri i turizmit do e vuajë. Është një situatë e rëndë për çdokënd.”

Gërxhani u shpreh se propozimet e tyre nuk u morën në konsideratë, dhe se ato biznese që mbajtën punonjësit, nuk u ndihmuan nga qeveria.

Klinton Gërxhani: ”Ne kemi paraqitur disa propozime të ndryshme, por është marrë shumë pak në konsideratë. Nga paketa e parë u mbulua diçka për bizneset e vogla, te paketa e dytë u dha paga e luftës, një pagë për këto biznese që kishin larguar punonjësit nga puna. Për bizneset që mbajtëbn punonjësit me lekët e tyre, nuk u ndihmuan dhe u lanë në baltë. Kjo ishte e parregullt, jo korrekte nga ana e qeverisë. Nuk u ndihmua kjo pjesë por pjesa e bizneseve që nuk mundi t’i mbajë punonjësit.”

Situata sipas tij, paraqitet tepër e rëndë, pasi Shqipëria ndodhet në listën e zezë të Europës, teksa 90% e tregut të huaj e përbën ai europian.

Klinton Gërxhani: ”Data është shtyrë në nëntor, por na duhen njerëz. Problemi është te tregu, te klientela e huaj, që mungon. Pothuajse nuk është bërë gjë për të tërhequr tregun e huaj. Duhet të ishin lidhur marrëdhënie përkatëse të cilët nuk ishin dëmtuar shumë nga Covid, por të paktën aq sa ne. Ne jemi në listën e kuqe të Europës. 90% e tregut të huaj që vijnë në Shqipëri për pushime, është ai europian. Jemi me 5 % të tregut të huaj, dhe me gjysmën e tregut shqiptar të Kosovës.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat