Ambasadori i Çekisë në Tiranë: Mbështetje për anëtarësimin e Shqipërisë

Shqipëria

Ambasadori i Çekisë në Tiranë: Mbështetje për anëtarësimin e Shqipërisë

Më: 28 tetor 2020 Në ora: 10:55
Jaroslav Ludva

Ambasadori i Republikës së Çekisë në Shqipëri, Jaroslav Ludva, shprehet se Shqipëria ka mbështetje të pakushtëzuar për anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian.

Në një intervistë për gazetën “Panorama” zoti Ludva, vendi i të cilit sot kremton festën kombëtare, 28 tetor 1918, atë të shpalljes së republikës së Çekosllovakisë, pas rënies së Perandorisë Austro-Hungareze, pas Luftës së Parë Botërore.

Për ambasadorin e Çekisë, “Shqipëria ka bërë progres me reformat e kërkuara, veçanërisht me reformën në drejtësi, por dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Edhe pse nuk preferon të flasë për situatën politike në Shqipëri, ambasadori Ludva shprehet se dialogu është kushti kryesor në politikë, duke kërkuar bashkëpunim mes palëve. Duke folur për marrëdhëniet mes dy vendeve, ambasadori çek në Tiranë, Jaroslav Ludva shprehet se “marrëdhëniet midis dy vendeve tona kanë qenë historikisht dhe janë mjaft miqësore”.

“Ne kemi bashkëpunim në nivel dypalësh në shumë fusha. Ndërkohë, pandemia e COVID-19 ka ndikuar jo pozitivisht në lidhje me investimet çeke në Shqipëri gjatë 2020-ës, sidoqoftë këto investime kanë njohur rritje nga viti në vit”, shprehet ambasadori.

Republika Çeke po ndihmon Shqipërinë përmes disa projekteve në fusha të ndryshme, si të drejtat e njeriut, kulturës, turizmit, medias dhe arsimit. Por ndihma e Çekisë nuk i mungoi shqiptarëve dhe Shqipërisë si në kohën e pandemisë ashtu dhe tërmetit shkatërrues të 26 Nëntorit 2019. Një ekip prej 11 specialistësh qëndruan në Tiranë për dy javë, ndërsa ambasada mori përsipër rikonstruksionin e plotë të një shkolle në një fshat të Tiranës, ndërsa aktualisht po përgatitet për një tjetër projekt bashkëpunimi në lidhje me krijimin e ndërgjegjësimit në komunitet për parandalimin dhe reagimin në rast katastrofash natyrore.

Çfarë feston Republika Çeke më 28 tetor?

Më 28 tetor 1918 u themelua shteti i Çekosllovakisë dhe kjo datë është festa jonë kombëtare edhe sot.

Zoti Ambasador, në ç’nivel ndodhen marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe në ç’nivel janë investimet çeke në Shqipëri?

Marrëdhëniet midis dy vendeve tona kanë qenë historikisht dhe janë mjaft miqësore. Ne kemi bashkëpunim në nivel dypalësh në shumë fusha. Ndërkohë, pandemia e COVID-19 ka ndikuar jo pozitivisht në lidhje me investimet çeke në Shqipëri gjatë 2020-ës, sidoqoftë këto investime kanë njohur rritje nga viti në vit.

Cili është pozicioni i Republikës Çeke në mbështetjen e Shqipërisë për hapjen e negociatave dhe nxitjen për zhvillimin e Konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në?

Republika Çeke gjithmonë ka dhënë dhe vazhdon të japë mbështetje për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit. Shqipëria është një vend i Ballkanit Perëndimor që ka bërë përparime dhe ne si çekë, por dhe Bashkimi Europian e shohim të ardhmen e Shqipërisë në BE. Mendoj se Shqipëria ka bërë progres me reformat e kërkuara, veçanërisht me reformën në drejtësi. Po ashtu ka progres dhe me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Republika Çeke jep mbështetje të pakushtëzuar për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Mendoni se Shqipëria është gati për Konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në, i ka plotësuar të gjitha kushtet?

Shqipëria ka bërë progres, por duhet ende të punojë. Ajo që ka rëndësi është se Shqipëria është në rrugë të mbarë.

Ky debat i brendshëm politik, për shkak edhe të afrimit të zgjedhjeve, mendoni se e pengon hapjen e negociatave, për shkak se mungesa e dialogut është një nga fjalët më të përsëritura në deklaratat e europianëve për Shqipërinë?

Unë nuk duhet të flas për politikën e brendshme, por dialogu është kushti kryesor në politikë, kërkohet bashkëpunim mes palëve.

Zoti Ambasador, Republika Çeke ishte një nga vendet e para të BE-së që ndihmoi Shqipërinë pas tërmetit shkatërrues të 26 Nëntorit 2019. Si u bë e mundur një gjë e tillë?

Republika Çeke, së bashku me vendet e Bashkimit Europian mori pjesë në konferencën e donatorëve për tërmetin në shkurt 2020 dhe kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme. Vendi im nuk ka eksperiencë me tërmetet, por ne jemi gjithmonë gati për raste emergjencash që t’i gjendemi mikut tonë kur ai ka nevojë. Ne kemi ndihmuar edhe me ekspertë të inxhinierisë strukturore dhe grupet e shpëtimit, një grup prej 11 specialistësh, të cilët qëndruan në Tiranë për dy javë. Pas rikonstruksionit të plotë të një shkolle, aktualisht po përgatitemi për një tjetër projekt bashkëpunimi në lidhje me krijimin e ndërgjegjësimit në komunitet për parandalimin dhe reagimin në rast katastrofash natyrore.

Çfarë projektesh pritet të zhvilloni në Shqipëri me bashkitë, apo dhe shoqërinë civile?

Kemi një numër projektesh interesante përpara në fushën e të drejtave të njeriut, kulturës, turizmit, medias dhe arsimit. Jam i lumtur, sepse kemi shumë miq dhe partnerë të shoqërisë civile me të cilët bashkëpunojmë, apo studentë shqiptarë që studiojnë në universitete të njohura çeke, etj. Pra, ka një sinergji shumë pozitive mes nesh në këto fusha.

Zoti Ambasador, a mbetet Shqipëria e preferuar për turistët çekë, siç ka qenë të paktën këto 10 vitet e fundit?

Natyrisht, çdo vit e më shumë çekë vijnë të vizitojnë Shqipërinë, edhe këtë vit dhe pse në periudhë pandemie, nuk munguan turistët çekë. Turistët çekë janë numri 1 në Shqipëri në eksplorimin e maleve. Vjet kemi pasur edhe një projekt për të ndihmuar në kthimin e shtëpive në bujtina, në Nivicë në kuadër të projektit “100 Fshatrat”. Ne ftuam në Republikën Çeke disa pronarë bujtinash për të marrë përvojën dhe eksperiencën e fshatrave çekë në funksion të turizmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat