Reforma në drejtësi duket sikur s’do mbarojë kurrë/ Shumë vakanca, pak kandidatë

Shqipëria

Reforma në drejtësi duket sikur s’do mbarojë kurrë/ Shumë vakanca, pak kandidatë

Më: 30 tetor 2020 Në ora: 17:29
Foto ilustrim

Procesi i stërgjatur dhe i vështirë i Reformës në Drejtësi ka krijuar një sistem gjyqësor të lodhur dhe pa interes për rritjen në karrierë.

Shumë institucione të drejtësisë kanë hapur prej kohësh vakancat, të krijuara kryesisht nga shkarkimet masive prej procesit të Vetingut.

Por, numri i lartë i vendeve bosh është në proporcion të zhdrejtë me kandidaturat që i synojnë postet, sidomos në strukturat e larta të sistemit të drejtësisë.

Në njoftimet zyrtare të institucioneve të drejtësisë, duke filluar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e më poshtë, konstatohen thuajse të njëjtët emra, në numër të vogël, që kandidojnë për shumë nga vakancat.

Ndërkohë, shumica absolute e gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë në sistem, preferojnë t’u qëndrojnë larg procedurave përzgjedhëse, të shqetësuar se kandidimet e tyre mund të bëhen shkas për një largim të shpejtë nga drejtësia, prej procesit të rivlerësimit, i cili ka nisur të konsiderohet rëndom si “veting politik”.

Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese është prej tre vitesh thuajse jashtë funksionit. Megjithatë, numri i kandidatëve për të marrë postin e lart, është gjithnjë e më minimal dhe emrat janë të njëjtët.

Së fundmi, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi skualifikoi nga gara për në Kushtetuese emra si Sinan Tafaj apo Zhaklina Peto, të cilët janë eleminuar edhe në gara të mëparshme. Megjithatë, ata vijojnë të shpresojnë të gjejnë ndonjë “të çarë” në KED.

Ndërkohë, në garë për një post në Kushtetuese janë prokurori Altin Binaj, i cili ka kandiduar më parë për në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që ka aplikuar për një pozicion në institucion gardian të ligjit Themeltar në thirrjet e shpallura nga Presidenti dhe Parlamenti.

Gjykata e Lartë

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shpallur më herët 8 vende vakanta për në Gjykatën e Lartë nga radhët e sistemit të drejtësisë.

Në listën e publikuar nga KLGJ, konstatohet se për secilin nga këto poste kandidojnë thuajse të njëjtët emra (Link), duke i dhënë procesit nuanca të mungesës së konkurencës.

E njëjta situatë konstatohet edhe në të ashtëquajturën garë për emërime në Gjykatën e Apelit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shpallur vakancat në 6 gjykata Apeli. Për tre prej tyre, në Apelin e Tiranës, Durrësit dhe Gjirokastër kanë aplikuar thuajse të njëjtët gjyqtarë.

Madje, njëri prej gjyqtarëve, Sokol Pina, ka kandiduar njëkohësisht në 7 vakanca, duke detyruar Këshillin e Lartë Gjyqësor që të zgjedhë vetëm tre prej tyre.

Ndërkohë, për vakancat në tre gjykata Apeli të tjera, në Korçë, Shkodër dhe Vlorë nuk ka pasur asnjë kandidim (Link).

ILD

Një refuzim total nga ana e gjyqtarëve ka edhe për komandimet në Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

Në Shkurt 2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shpallur vakancat për 6 gjyqtarë të komanduar pranë ILD-së.

Pas 9 muajsh dhe pas rishpalljes së herë pas hershme, sërish asnjë gjyqtar nuk i është përgjigjur thirrjes (Link).

Prokuroria

Nga ana tjetër, sistemi i Prokurorisë është në gjendje akoma më të vështirë.

Prej 3 vjetësh, pjesa e më e madhe e strukturave lokale drejtohen nga titullarë të komanduar, ndërkohë që edhe vakancat e krijuara në Apele për shkak të shkarkimeve nga Vetingu janë plotësuar me emra të përkohshëm.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk ka hapur ende asnjë procedurë emërimi. Vetëm së fundmi, KLP po përgatitet të hapë garën për emërimin e drejtuesve të prokurorive, një procedurë që po shtyhet mbledhje pas mbledhjeje. (Link)

Gjatë dy vjetëve të ekzistencës së tij, KLP ka kryer emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe prokurorëve të SPAK-ut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat