Akuzat e Bashës për COVID-19, reagon ashpër Komiteti i Ekspertëve: Tërhiq akuzat! Nuk jemi “fasadë” e askujt

Shqipëria

Akuzat e Bashës për COVID-19, reagon ashpër Komiteti i Ekspertëve: Tërhiq akuzat! Nuk jemi “fasadë” e askujt

Më: 31 tetor 2020 Në ora: 14:33
Komiteti i Ekspertëve

Akuzat e Bashës për COVID-19, reagon Komiteti Teknik i Ekspertëve: Tërhiq akuzat! Strategjia e ndjekur deri më sot ja ka dalë

Me keqardhje dhe indinjatë të thellë, dëgjuam akuzat e bëra ndaj nesh nga ana e Kryetarit të Partisë Demokratike, Z. Lulzim Basha. U bë kohë që përveç përballimit të një situate shumë të vështirë, siç është ajo e pandemisë së Covid-19, jemi gjendur të sulmuar dhe të fyer në punën tonë, duke filluar nga kryetari i PD dhe disa pak politikanë të tjerë.

Ne, anëtarët e Komitetit Teknik të ekspertëve, jemi profesionistë të fushës sonë dhe sot, jemi pjesë e këtij Komiteti, të ngritur në zbatim të Ligjit mbi Epidemitë, për t’i shërbyer qytetarëve shqiptarë në këtë kohë tejet sfiduese. Ne nuk jemi “fasadë” e askujt, siç deklaron Z. Lulzim Basha. Ne nuk pranojmë akuzat për dështim në punën tonë, të bëra nga një kryetar partie, formimi profesional i të cilit nuk ka se si t’ia lejojë të bëjë gjykime në lidhje me punën e këtij komiteti.

Në çdo ditë të punës sonë, ne udhëhiqemi vetëm nga parimet e profesionalizmit dhe çdo vendim që kemi marrë, e kemi marrë duke u bazuar vetëm në këto parime. Ne mendojmë se strategjia që kemi ndjekur deri më sot, ia ka dalë të minimizojë numrin e infeksioneve dhe fataliteteve të shkaktuara nga koronavirusi, gjë që e tregojnë fare qartë edhe shifrat krahasuese me vendet e rajonit, dhe ato të Evropës.

Siç është shprehur edhe kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përdorimi politik i pandemisë i shërben vetëm përkeqësimit të situatës dhe është i dëmshëm për mbrojtjen e shëndetit publik.

I bëjmë thirrje Z. Basha që të tërheqë akuzat e bëra në adresë të anëtarëve të Komitetit Teknik të Ekspertëve, të heqë dorë nga përpjekja për baltosjen e punës së autoriteteve shëndetësore, që në këto kohë të pandemisë po bëjnë një sakrificë të jashtëzakonshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat