Vakanca në Gjykatën Kushtetuese, KED diskuton nesër dy emra

Shqipëria

Vakanca në Gjykatën Kushtetuese, KED diskuton nesër dy emra

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 18:32
Ilustrim

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka vendosur të diskutojë nesër dhe më pas të dërgojë emrat në Presidencë për plotësimin e vakancës së gjashtë të Gjykatës Kushtetuese.

Përmes një njoftimi sot për mediat KED bën me dije se nesër pritet të diskutohet në mbledhjen e radhës shpallja e fillimit të procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve në vendin vakant në gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme,e shpallur nga Presidenti i Republikës.

Kandidatët me të cilët do të bëhet intervista janë Aleksandër Toma dhe Përparim Kalo. Nesër KED bën vlerësimin, pikëzimin dhe renditjen për kandidatët e lejuar, miratimi i listës përfundimtare të renditjes si dhe i raportit përkatës.

Kujtojmë se Kuvendi i Shqipërisë votoi 4 ditë më parë me 96 vota pro, Altin Binajn si anëtarin e pestë të Gjykatës Kushtetuese. Me këtë vendim Kuvendi plotësoi 3 vakancat që i takojnë në këtë gjykatë!

Me votimin e Binajt, Gjykata Kushtetuese u bë me 5 anëtarë, bashkë me Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji. Nëse Presidenti i Republikës miraton një prej kandidatëve që i shkojnë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, atëherë Shqipëria arrin objektivin e rëndësishme për ta bërë më në fund funksionale Gjykatën Kushtetuese brenda datës 31 dhjetorit. Kushtetuesja duhet të ketë 9 anëtarë në total, por plotësimi i tre anëtarëve të fundit pritet pas plotësimit të Gjykatës së Lartë, e cila edhe ajo nuk është funksionale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat