Sa zgjasin antitrupat e Covid 19? Mjeku epidemiolog: Të paktën 8 muaj

Shqipëria

Sa zgjasin antitrupat e Covid 19? Mjeku epidemiolog: Të paktën 8 muaj

Më: 25 dhjetor 2020 Në ora: 09:48
Ilir Alimehmeti

Edhe pse është herët që të flitet për të ashtuquajturin "imuniteti i tufës", një pjesë e konsiderueshme njerëzish e kanë kaluar ose po luftojnë me Covid 19. Por për të gjithë ata që janë shëruar, a ka siguri se janë imunizuar dhe nuk do të përballen më me virusin e rrezikshëm në të ardhmen?

Studimet kanë treguar se antitrupat mund të zgjasin të paktën tetë muaj, ashtu siç konfirmon edhe epidemiologu i njohur në vend, Ilir Alimehmeti.

“Ne mund ta injorojmë natyrën, por megjithatë jemi pjesë e saj dhe ajo nuk mban mëri. As nuk harron. Kështu ndodhi edhe me debatin mbi kohëzgjatjen e imunitetit kundër Sars Cov-2, te personat që e kalojnë atë, – shkruan mjeku në një postim në Facebook. – Mirëpo natyra bën punën e saj, pavarësisht nga paaftësia jonë për të njohur, kuptuar, tejçuar dhe kujtuar mësimet e saj! Ne mund të harrojmë, por natyra kujton. Kështu vepron edhe sistemi ynë imunitar. Kujton!”.

Alimehmeti e mbështet tezën e tij me studimin më të fundit, rezultatet e të cilit dolën dy ditë më parë në revistën prestigjiozen “Science Immunology”.

“Në studimin e freskët nga shtypi, autorët e institucioneve të shquara kërkimore australiane, demonstrojnë qartësisht se të gjithë individët krijojnë qeliza B kujtese kundër Sarscov-2. Qelizat B të kujtesës ishin të pranishme deri në fund të studimit (242 ditë)”.

Sipas Alimehmetit, ky është studimi më i gjatë i zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së imunitetit kujtesë deri më sot, pasi vetë pandemia ka zgjatur rreth dhjetë muaj deri më sot dhe autorët kanë studiuar ecurinë e imunitetit për tetë muaj deri tani.

Kjo gjetje, për Alimehmetin, është lajm shumë i mirë, veçanërisht për personat që e kanë kaluar infeksionin në mënyrë natyrore, i cili mund të jetë edhe sinjal pozitiv për programin e vaksinimit.

“Pra, ne, miqtë e mi mund të mos e njohim plotësisht apo të zgjedhim ta harrojmë natyrën, por kjo e fundit na njeh mirë dhe kujton… kujton gjithmonë”, citon Alimehmeti duke kujtuar rrjedhën e debateve në këto muaj mbi kohëzgjatjen e imunitetit te personat që e kalojnë virusin.

Sipas tij, e gjithë biseda u fokusua në mënyrë të mysët vetëm mbi praninë dhe nivelin e antitrupave qarkullues “IgM” dhe “IgG”, ndërkohë që interesi iu kushtua kohëzgjatjes së pranisë së tyre në gjak, ç’ka solli panik që ky nivel binte pas disa muajsh.

"E gjitha kjo, vjen duke harruar dhe lënë pas mënyrën se si funksionojnë mekanizmat imunitarë. Studimi foli ndryshe. Në gjithë kohëzgjatjen e tij, sistemi imunitar e njohu virusin".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat