Muka: Ne, Ballkani Perëndimor, do ta marrim të fundit në Europë vaksinën

Shqipëria

Muka: Ne, Ballkani Perëndimor, do ta marrim të fundit në Europë vaksinën

Më: 26 dhjetor 2020 Në ora: 22:52
Taulant Muka

Sigurimi i vaksinës për koronavirusin është kthyer në një “luftë” mes të fortëve, me SHBA që ka bllokuar sasinë më të madhe të prodhimit të tyre.

Shanset e Ballkanit, pjesë e tij edhe Shqipëria, duken të largëta.

Mjeku epidemiolog, Taulant Muka, thotë se do të duhet të mbajmë radhën të fundit.

Muka: Vendi jonë do të jetë ndër vendet e fundit në Europë që do të marrë vaksinën dhe Ballkani në veçanti, kjo për shkak se kërkesa është e jashtëzakonshme. Varet nga strategjitë që shtetet europiane do të ndërtojnë mbi vaksnimin, nëse do të shkojnë vetëm për vaksinimin e grupmoshave të rrezikuara apo nëse do të shkojnë për vaksinimin e pjesës më të madhe të popullatës apo gjithë popullatës. Nëse do të shkojë për vaksinimin e të gjithë popullatës vaksina në Shqipëri do të vijë shumë më vonë. Ne duhet të ndjekim modelin suedez. Serbia ka marrë 5000 vaksina, që për 9 milion banorë, janë më shumë propagandë sesa kanë efikasitet.

Muka thotë se është pozitive fakti se ditët e fundit ka një rënie të infektueshmërisë.

Muka: Është lajm shumë pozitiv që numri i rasteve po ulet. Ajo që ka rëndësi për Covid-in është sa pacientë janë simptomatikë dhe sa pacientë janë asimptomatikë. Asimptomatikët mund të transmetojnë shumë pak infeksion dhe nuk ka nevojë të karantinohen. Ndërkohë që ka pasur një qasje tjetër dhe nuk shpjegohet pse ka ndodhur.

Muka vlerëson se dy muajt në vazhdim, që janë dy muajt më të ftohtë, do të jenë një sfidë për vendin.

Muka: Por me masa të caktuara, me ndërgjegjësim të popullatës pa kaluar në ekstrem, duhen hapur shkollat dhe universitetet, ne mund të arrijmë një menaxhim të mirë të situatës.

Epidemiologu nënvizon se Shqipëria ka kohën në avantazh që është vaksina më e mirë në situatën epidemike.

Muka: Me ardhjen e verës dhe temperaturave më të ngrohta do të kemi më shumë mundësi të rrimë jashtë, të shpenzojmë më pak kohë brenda, sikurse e provuam gjatë verës të kthehemi drejt normalitetit. Në mes të prillit dhe deri në shtator vendi jonë do të ketë siguruar vaksinën për grumomoshën e rrezikuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat