Marrëveshja detare me Greqinë, reagon ashpër gazetari: Kombi nuk është politikë

Shqipëria

Marrëveshja detare me Greqinë, reagon ashpër gazetari: Kombi nuk është politikë

Më: 28 dhjetor 2020 Në ora: 08:57
Marin Mema

Tre ditë  më parë u miratua dekreti për shtrirjen e hapësirës detare greke nga pjesa veriore e Ishujve Jon në Kepin Tainaro. Kështu, qeveria greke rezervoi të drejtën të ushtrojë të drejtat e saj përkatëse në zona të tjera të territorit të saj.

Qeveria e Greqisë miratoi dekretin e zgjerimit të ujërave territoriale nga gjashtë në dymbëdhjetë milje në veri të Detit Jon. Sipas gazetës ProtoThema, zgjerimi i ujërave në Detin Jon në përputhje me Konventën mbi Ligjin e Detit, përkthehet automatikisht në zgjerimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike ku Greqia gëzon të drejtën të zbulojë burime, përfshirë përdorimin e erës dhe ujit për prodhimin e energjisë.

Në të njëjtën kohë, përcaktimi i vijës bazë në rajonin e Detit Jon dhe përcaktimi i gjireve, si dhe zgjerimi i ujërave territoriale i hapin tani rrugën hartimit të një kërkese dypalëshe Greqi-Shqipëri për t’ju drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Zgjidhja e mosmarrëveshjes për kufirin detar midis dy vendeve në Gjykatën Ndërkombëtare është rënë dakord gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias në Tiranë në takimin që ai pati me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Mbi këtë situatë ka reaguar gazetari injohur Marin Mema i cili nëpërmjet një postimi në Instagram ka kritikuar ashpër qeverinë.

Mema shprehet se kufijtë nuk i vendos asnjë shtet, as politika apo Gjykata e Hagës. Ai shton se Greqia prej një kohe të gjatë e ka shtypur popullin shqiptar dhe për të politika shqiptare hesht sepse ka përfitime.

“Kufijtë detarë të Shqipërisë nuk mund ti vendosë, zgjidhë e gjykojë Greqia dhe as politika shqiptare, as “Haga” dhe “bijëzat” e saj. Duhet transparencë, transparencë e plotë e jo për politikë e përfitime sepse kombi nuk është politikë. Transparencën duhet ta bëjnë ekspertët, ata të vërtetët që nuk kanë lidhje me politikën, e që interesat kombëtare nuk i shesin për asgjë në botë.

Është fakt se Shqipëria po mbushet me varreza, e ne nuk mundemi as të ngremë një memorial jo larg Tepelenës për të përkujtuar 217 hormovitë të masakruar në 1914. Një projekt i mikut të nderuar Meçan Zotaj ende pret…

Shqiptarët e Çamërisë nuk kanë të drejtë as të derdhin një pikë lot në pragjet e shtëpive të tyre, as një pikë lot në ato toka ku lanë të parët e tyre. Asnjë pikë lot e jo më të kërkojnë memorialë. Kjo nuk është njerëzore e nuk ka aspak lidhje me nacionalizmin ekstrem e britmat që fshihen pas. Nuk është njerëzore. Është e dhimbshme, është e pafalshme. E kur vjen puna në këtë pikë të gjithë heshtin, politika greke e hesht politikën tonë sepse tek ne të gjithë janë të gatshëm të japin diçka nëse kjo u jep pushtet e përfitime. Kjo është e vërteta.”– shkruan ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat