Telefoni i fikur dhe lëvizja te dentisti, misteri i zhdukjes së Moisi Habilajt në Itali

Shqipëria

Telefoni i fikur dhe lëvizja te dentisti, misteri i zhdukjes së Moisi Habilajt në Itali

Më: 12 janar 2021 Në ora: 14:29
Moisi Habilaj

Një ditë pasi rezultoi se kishte thyer "arrestin shtëpiak", mediat italiane kanë dhënë detaje të reja për Moisi Habilajn, i dënuar nga Gjykata e Katanias me 15 vite e 5 muaj e 10 ditë burg me akuzën e trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali.

Që nga e shtuna e kaluar, telefoni i tij është fikur dhe i paarritshëm. "Misteri i fundit në lidhje me trafikantin shqiptar të drogës Moisi Habilaj, kalon nga një apartament i vogël në San Michele di Ganzaria në provincën e Katanias, në atë që për dekada ka qenë territori referues i shefit të "Cosa Nostras"-s, Ciccio La Rocca, – shkruan "Meridionews.it", – dhe që ndodhet pak hapa larg, nga ku Habilaj ishte nënshtruar regjimit të paraburgimit në shtëpi pa një byzylyk elektronik".

Deri tani, autoritetet policore dhe gjyqësore të Katanias nuk kanë asnjë lajm zyrtar për zhdukjen e tij pa lënë asnjë gjurmë.

Policia dhe më pas karabinierët kanë trokitur në derën ku ai strehohej gjatë një kontrolli rutinë, për ata që janë në "arrest shtëpie". Rezultati, në të dy rastet ishte i njëjtë: "i pagjurmueshëm".

Por ku ka shkuar Moisi Habilaj? Avokatët që e mbrojnë atë, përjashtojnë ekzekutimin e një urdhri ekstradimi në Shqipëri, ku 43-vjeçari është përballur me një hetim paralel me atë të gjyqësorit italian.

Kohët e fundit ai ishte transferuar në shtëpinë e një kushëriri nga ana e babait, duke qëndruar pak më shumë se një muaj aty.

Më pas vjen zhvendosja në një apartament të ri, gjithmonë në territorin e San Michele di Ganzaria dhe nga shtëpia e tij ai mund të dilte me leje vetëm për të shkuar te dentisti.

Në fazat e hershme të gjykimit të shkallës së parë, Habilaj bashkëpunoi me drejtësinë, por nuk u bë kurrë bashkëpunëtor i saj.

Ai pranoi pjesërisht akuzat dhe kjo u vlerësua pozitivisht nga ana e gjyqtarëve italianë, por nuk ndikoi në uljen e viteve të tij të dënimit, veçanërisht për shkak se ai kishte rolin e shefit të grupit kriminal të drogës.

Në Itali janë dënuar edhe anëtarë të tjerë të këtij grupi, si Meridian Sula, Nezar Seiti dhe Sabaudin Çela.

Habilaj është është kushëri i largët i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për të cilin u zhvillua një proces në Shqipëri.

Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli fajtor ish-ministrin socialist vetëm për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe e dënoi me 3 vite shërbim prove, por avokatët e tij e apeluan dhe tashmë çështja po shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme e Apelit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat