Viti nis me rritjen e çmimeve të cigareve, miellit dhe vajit

Shqipëria

Viti nis me rritjen e çmimeve të cigareve, miellit dhe vajit

Më: 15 janar 2021 Në ora: 09:21
Ilustrim

Viti i ri 2021 nisi me rritjen e çmimeve të cigareve, miellit dhe vajit në pikat e pakicës në vend.

Çmimet e paketave të cigareve u shtrenjtuan me 10 lekë si rrjedhoje e rritjes së akcizës nga 1 janari me 5 lekë. Çmimi mesatar për paketë shkoi në 260 lekë ose 4 për qind më shumë se më 2020.

Tregtarët e pakicës raportuan se çmimi i vajit vegjetal për gatim është rritur me 20 lekë për litër ose 12.5%. Një kilogram kushton aktualisht 180 nga 160 lekë që ishte më parë.

Çmimi i miellit u rrit me 6 % ose 300 lekë për kuintal. Tani 100 kilogram miell kushtojnë 5,300 lekë nga 5,000 lekë dhe më pak që ishin përgjatë 2020.

Burimet me tregu pohojnë se çmimet e vajit dhe miellit janë rritur si pasojë e shtrenjtimit të lëndës së parë në tregjet ndërkombëtare. Importuesit pohuan se pandemia solli një problematikë të shumëfishtë në sektorët e prodhimit kudo në Europë. Rusia, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të grurit kufizoi eksportet për të krijuar rezerva të brendshme nga frika e pandemisë. Ky veprim rriti çmimet e grurit në tregjet ndërkombëtare. Rusia dhe Serbia janë furnizuesit kryesor të grurit në vendin tonë.

Grosistet e vajit dhe grurit u përballen me çmime më të larta qe në furnizimet e vitit 2020, por ato transferuan një pjesë të rritjes së çmimit për vitin e ri financiar 2021. Ndërsa për cigaret rritja e çmimeve buron nga masat që qeveria mori që vitin 2017, duke miratuar një kalendar për rritjen e akcizës vit pas vit deri më 2021.

Sipas këtij kalendari akciza në vitin 2021 arriti në 6500 lekë për 1000 copë cigare nga 6250 lekë që ishte vitin e kaluar. Rritja e akcizës për cigaret është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata si produkt me efekte negative në shëndet duke rritur çmimin e shitjes së tyre.

Mirëpo në rastin e Shqipërisë rritja e akcizës shoqërohet me rritje të kontrabandës, siç edhe ka ndodhur që kur kjo politike e taksave me rritje ka nisur të aplikohet. Ministria e Financave ka sqaruar se me qëllim përafrimin e mëtejshëm me Direktivën e BE 2011/64, e cila përcakton nivelin minimal të akcizës për cigaret të paktën 90 euro për 1000 cigare, riskedulimi i rritjes siguron një politikë të qëndrueshme taksimi sipas standardeve të BE-së.

Ndërsa artikujt e mallrave tw tjera të shportës ushqimore po shiten më të njëjtat çmime si më 2021. Oferta më e lartë me prodhime vendi i ka mbajtur çmimet stabël për këtë sezon, teksa kërkesa ka pësuar rënie.

Tregtarët e pakicës pohojnë se konsumi ka rënë për të gjitha kategoritë e mallrave ushqimore. Sipas tyre arsyet kryesore lidhen me largimin e njerëzve jashtë vendit dhe me tkurrjen e të ardhurave si rezultat i papunësisë që ka krijuar pandemia./Monitor

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat