Paraja kriminale në ekonomi, Preçi: Raportet vendase dhe të huaja e tregojnë këtë gjë

Shqipëria

Paraja kriminale në ekonomi, Preçi: Raportet vendase dhe të huaja e tregojnë këtë gjë

Më: 29 janar 2021 Në ora: 21:48
Zef Preçi

Në një lidhje direkte për emisionin “Ekopolitikë”, në RTV Ora, eksperti i ekonomisë Zef Preçi ka folur mbi përgjimet e antimafias italiane dhe “injektimin” e parasë kriminale në ekonominë e vendit.

Sipas tij, duke iu referuar agjensive të specializuara, vendase dhe të huaja, prania e parasë me origjinë kriminale është e pranishme në ekonominë tonë.

“Ajo çka mund të thuhet, prania e parasë me origjinë kriminale në ekonomi është një fenomen i përbotshëm, por që shfaqet në mënyrë më të spikatur në vendet me institucione më të dobëta, ku sundimi i ligjit nuk është aty ku duhet, aty ku institucionet janë të korruptuara dhe nën ndikimin e lobeve të biznesit dhe oligarkisë, në vendet ku shkalla e zhvillimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut është në fillimet e veta apo nuk është krijuar akoma. Kjo lidhet ngushtësisht me institucionet.

Zhvillimet në ekonominë tonë, sidomos pas vitit 1997, por edhe ngjarjet e atij viti kanë në themel mpiksjen e ekonomisë informate me atë formale dhe ekonominë kriminale. Ajo që dua të them, është se, aktualisht, është konsoliduar jo vetëm perceptimi por edhe matjet e agjencive të specializuara, vende dhe të huaja, edhe sistemi bankar, tregojnë në kompleks praninë e kësaj paraje në ekonominë tonë.

Ndërtimet pa lidhje me nevojat e zhvillimit, pa lidhje me kërkesat e biznesit, pa lidhje me kërkesat e zhvillimit të popullsisë dhe zgjerimit të saj, kur popullsia po pakësohet, ka marrë hov, sidomos në këto 2-3 vitet e fundit. Po kështu, një numër investimesh në infrastrukturën publike janë perceptuar dhe unë kam këtë bindje që  janë një formë e legalizuar për këtë kanalizuar në to paranë me këtë origjinë“, u shpreh ndër të tjera Preçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat