A i dinte Kastrati “13 vitet shtesë” kur e bleu koncesionin e Aeroportit të Rinasit?

Shqipëria

A i dinte Kastrati “13 vitet shtesë” kur e bleu koncesionin e Aeroportit të Rinasit?

Nga: Ermal Mulosmani Më: 30 janar 2021 Në ora: 11:11
Aeroporti Rinasit

Dje në media u shpërnda lajmi sipas të cilit Qeveria Shqiptare i shtoi 13 vite koncesion pronarit të ri të koncesionit të Aeroportit të Rinasit, Shefqet Kastrati. Ky vendim është futur në rendin e ditës për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

Kastarti kishte blerë nga kompania kineze të drejtën e koncesionit për 6 vjet (2021-2027) në shumën e 71 milionë Eurove vetëm një muaj më parë.

Historia e koncesionit të Aeroportit të Rinasit, të vetmit Aeroport Ndërkombëtar të Shqipërisë, fillon në fillim të viteve 2000. Rritja e fluksit të pasagjerëve solli domosdoshmërinë e ndryshimeve. Një rol të jashtëzakonshëm patën edhe sulmet terroriste në kullat binjake në Amerikë. Shtimi i masave të sigurisë nga rreziku i ri e shtuan një marsh në përpjekjen për ndërtimin e një terminali të ri e modern.

Më 23 Prill të vitit 2005, Qeveria socialiste e Fatos Nanos vendosi t’ia japë koncesionin një konsorcumi gjerman (HOCHTIEF Airport Gmbh, Deutche Investitions und Entwicklungsgesellschaftbmh (DEG) dhe Fondi Shqiptaro Amerikan i Ndërmarrjeve).

Logoja e re e Aeroportit ishte TIA.

Në kontratën e nënshkruar atëherë parashikohej që koncesionari do të shfrytëzonte të drejtën e tij deri në vitin 2025 (20 vjet). Qeveria Shqiptare kishte pranuar një klauzolë në kontratën e koncesionit, sipas së cilës, zotohej se gjatë periudhës së koncesionit, asnjë aeroport  i ri nuk do të operonte në Shqipëri gjë që i jepte pozita monopol TIA-s. Kjo klauzolë ishte thellësisht e papërshtatshme dhe u komentua gjatë  në media.

Ndërtimi i terminalit të ri (investimi në vite kap 70 milionë Euro) shtoi ndjeshëm numrin e pasagjerëve (nga 600 mijë në vitin 2005 në 1,9 milionë 12 vjet më vonë) dhe rriti ndjeshëm edhe fitimet vjetore të TIA-s që shkonin 8-10 milionë Euro në vit. Biletat ajrore që paguanin pasagjerët shqiptarë ishin ndër më të lartat në Evropë për shkak të taksave të larta aeroportuale.

Një rishikimtjetër i kontratës ndodhi në 1 Prill 2016. Qeveria Rama vendosi të shtonte edhe dy vjet afatin e koncesionit (25 Prill 2005- 25 Prill 2027) për të amenduar ekskluzivitetin dhe lejuar operimin e Aeroportit të Kukësit. Gjithashtu, TIA, rezervon të drejtën e shtesës tjetër të koncesionit në rast të ndonjë Aeroporti tjetër përveç Kukësit.

Me fjalë të tjera, Qeveria e Shqipërisë, po i paguante rreth 20 milionë Euro (fitim i viteve 2025-2026 dhe 2026-2027) që kjo e fundit  ta lejonte Qeverinë të kishte edhe një aeroport tjetër. Ky është një absurditet, në gjithë botën lejet e operimit të aeroporteve i jep Qeveria, në Shqipëri i jep koncesionari!  Deri sot (30 Janar 2021)  aeroporti I Kukësit nuk ka filluar operimin e megjithatë afati i koncesionit të TIA-s është shtuar duke ia shtuar vlerën kompanisë.

Dhe sot 5 vjet pas nënshkrimit të atij amendimi kontrate Aeroporti i Kukësit nuk ka filluar dhe TIA vazhdon të jetë monopol. Por tashmë ka fituar 2 vite shtesë!

Sapo nënshkruhet amendimi i kontratës së re (1 Prill 2016) dhe për pasojë rritjes së vlerës së kompanisë, pronarët e vjetër vendosin ta shesin vetëm 6 muaj më vonë. Pasi e kishin shfrytëzuar për rreth 11 vjet, me një fitim mesatra vjetor që i kalonte 9  milionë Euro në vit, pra kishin nxjerrë nga investimi mbi 100 milionë Euro (investimi total nuk i kalonte 70 milion Euro)  gjermanët e TIA-s vendosin ta shesin kompaninë.  “Negociata” me Qeverinë ia kishte rritur vlerën kompanisë dhe ishte moment për të marrë maksimumin.  Kështu, me 11 vjet të drejtë koncesionare, kinezët e blejnë koncesionin nga gjermanët për 90 milionë Euro!

Pra TIA me kontratën e Rinasit për një investim 70 milionë Euro arriti brenda 12 vitesh të ketë një fitim të përafërt me 100 milion Euro dh eta shesë investimin me 90 milionë të tjera!

190 milionë Euro të fituara janë biznes I mirë me të drejtën ekskluzive të shtetit shqiptar.

Pronarët e rinj kinezë që derdhën 90 milionë Euro në arkat  e gjermanëve  trashëguan rreth 10 vite të drejtë koncesionare (Tetor 2016-Prill 2027). Pasi shfrytëzuan për 4 vjet të drejtën e tyre me fitim të llogaritur rreth 40-45 miionë (fitimi vjetor rritet pasi rritet edhe numri I pasagjerëve në mbi 3 milionë në vit), kinezët me 6 vite të mbetura në kontratë (Dhjetor 2020-Prill 2027), vendosin të bëjnë shitjen e radhës.

Blerësi I ri ishte një ndër biznesmenët më të njohur shqiptarë, Shefqet Kastrati. Duke pasë në konsideratë kohën e shkurtër në dispozicion, shuma e transaksionit të blerjes ishte relativisht e lartë (71 milionë Euro).

Mirëpo Kastrati duket sikur dinte diçka më shumë sesa ne që u habitëm nga blerja. Pa kaluar një muaj nga transaksioni, Qeveria bën të ditur se do të shtojë edhe me 13 vjet të tjera koncesionin e Aeroportit!

Pa tender apo  procedura por me të famshmin…negocim!

Pra Kastarti do ta shfrytëzojë për rreth 19 vjet Aeroportin e Rinasit në këmbim të disa investimeve apo zbritjeve në taksa.  Dikush tjetër, ndoshta do të bënte më shumë investime, më shumë ulje taksash aeroportuale në këmbim të 13 viteve shtesë! Mirëpo këtë nuk mund ta dimë sepse për ta ditur duhet Tender i Hapur Ndërkombëtar, një term i bezdisshëm për qeveritarët tanë. Ja ku është Kastrati, flasim me të, i themi të na bëjë ndonëj ulej dhe ca investime…

Ky është një rast tipik kur një oligark përdor pushtetin e tij për të ndikuar në vendimmarrjen shtetërore. Sigurisht I fshehur pas fjalëve moderne “negocim”…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat