Sulmet e Ramës për KÇK ndaj prokurorit/ Si u pushua hetimi ndaj ish-kreut të Kadastrës së Durrësit

Shqipëria

Sulmet e Ramës për KÇK ndaj prokurorit/ Si u pushua hetimi ndaj ish-kreut të Kadastrës së Durrësit

Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 18:49
Edi Rama

Nisja e hetimeve ndaj ish-kreut të Kadastrës së Durrësit, Liridon Pula shkaktoi debat në nivelet më të larta të politikës, por hetimi u mbyll me argumentin se mangësitë në procedurën e regjistrimit nuk përbëjnë ‘shpërdorim detyre”.

Pas hetimeve 1-vjeçare dhe një “furtune” deklaratash në nivelet më të larta të politikës, Gjykata e Durrësit vendosi më 11 dhjetor 2020 që të pushojë akuzat ndaj ish-drejtuesit të Kadastrës së Durrësit, Liridon Pula dhe juristes Lusiena Kolaj.

Pula dhe Kolaj u akuzuan për shpërdorim detyre në shtator 2019, pas një kallëzimi të policisë së Durrësit për shkelje të pretenduara ligjore gjatë regjistrimit të disa pronave në Gjirin e Lalzit.

Procedimi penal me nr: 1976/2019 u hetua fillimisht nga prokurori Arjan Ndoja dhe pas kërkesës për masë arresti ndaj Pulës, u përball me akuzat e kryeministrit Edi Rama se po vepronte në emër të një grupi kriminal të quajtur prej tij si KÇK [Kap ç’të kapësh].

Rrjedha e hetimit ndryshoi pas largimit të Ndojës nga çështja, ndërsa në shtator 2020, prokurori Bledar Bejko kërkoi pushimin e çështjes në gjykatë.

Dokumentet gjyqësore të siguruara nga BIRN tregojnë se procedimi kishte si objekt një sipërfaqe trualli mbi të cilin po ndërtohet një komplekt turistik nga kompania “Lura” sh.p.k në Gjirin e Lalzit si dhe procedurën e regjistrimit të pasurisë në Kadastrën e Durrësit.

Gjatë hetimit u konfirmua se në regjistrat fizikë të Kadastrës nuk ishin shënuar kufizimet e sipërfaqeve takuese të pronarëve, e vlerësuar fillimisht si shkelje e neneve 50 dhe 51 e “Ligjit për Kadastrën”.

Prokuroria e Durrësit argumentoi në Gjykatë se ndonëse regjistrimi fillestar i këtyre pasurive nuk ishte i plotë, nuk kishte konsumim të veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe as ndonjë pasojë mbi pasurinë objekt hetimi.

Prokuroria theksoi gjithashtu se pavarësisht mangësive të konstatuara në regjistra, në sistemin dixhital ‘Albsrep’ ishin reflektuar të gjitha kufizimet për secilën pronë, objekt të kontratës. Certifikatat e pronësisë që i janë dhënë subjektit ndërtues, sipas Prokurorisë, janë nxjerrë nga ky sistem.

Hetimi i kryer nga prokurori Bejko ka dalë në përfundimin se mangësitë kanë ndodhur në kohën kur Agjencia Shtetërore e Kadastrës ndodhej në proces transformimi, ku për shkak të mungesës së organizimit dhe mangësive në staf, vazhdonte ende të funksiononte si Zyrë e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Lusiena Kolaj me detyrë juriste deklaroi në prokurori se e kishte realizuar ajo praktikën, megjithëse nuk ishte në atë sektor dhe nuk i kishte ende të përcaktuara detyrat funksionale përmes një kontrate përfundimtare pune.

“…ajo [Kolaj] ka deklaruar se për arsye ngarkese nuk kishte arritur që të bënte plotësimin e plotë të regjistrimit në regjistrin fizik…plotësimin përfundimtar me nënshkrimin e juristit dhe saktësimet në regjistra ishin në përfundim në ditën që është bërë shoqërimi i saj në ambientet e drejtorisë së policisë së Durrësit,” referohet të ketë deklaruar Kolaj në prokurori.

Ish-kreu i Kadastrës, Liridon Pula e ka konsideruar procedurën e ndjekur në përputhje me legjislacionin në fuqi. I pyetur nga Prokuroria për mosnënshkrimin dhe vulosjen e dosjeve fizike, Pula është mbrojtur me argumentin se ‘nuk ka asnjë akt ligjor apo rregullore që e ngarkon (detyron) atë me një përgjegjësi të tillë’.

Prokuroria ka marrë në pyetje përfaqësuesit e kompanisë ndërtuese dhe pronarët e truallit. Të parët kanë pretenduar se kanë marrë vetëm certifikatat e pronësisë ku ishin të reflektuara pjesët takuese dhe jo kartelat e pronës. Ndërsa pronarët e truallit sipas Prokurorisë nuk kanë ngritur asnjë pretendim për pjesët e tyre takuese apo kompaninë ndërtuese.

Në përfundim, prokurori i çështjes argumentoi në gjykatë se nuk ishte shkaktuar asnjë dëm dhe nuk ishte tjetërsuar pronësia në asnjë nga pasuritë kufizuese.

“Në këtë kuptim rezulton se nga veprimet dhe mosveprimet e shtetasve Liridon Pula dhe Lusiena Kolaj nuk kemi konsumim të figurës së veprës penale ‘shpërdorimi i detyrës’, i parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal,” thuhet në kërkesë.

Në vendimin e 11 dhjetorit 2020, Gjykata e Durrësit arsyeton se Prokuroria ka kryer veprimet hetimore të mundshme dhe nuk rezulton që personat në hetim të kenë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Gjykata pranoi gjithashtu kërkesën për shuarjen e masës së sigurisë për ish-drejtorin e Kadastrës, Liridon Pula dhe juristen Lusiena Kolaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat