Tenderi për qentë, 33 milion lekë për agjentët me katër putra

Shqipëria

Tenderi për qentë, 33 milion lekë për agjentët me katër putra

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 16:33
Shqipëri

Një shumë financiare prej 33 milion lekë të vjetra, është vendosur të shpenzohet nga Policia e Shtetit, me qëllim blerjen e një sasie ushqimi koncentrat, për qentë dhe këlyshët e Shkollës së Policisë.

Bëhet fjalë për një tender që është hapur në 5 shkurt dhe që pritet të mbyllet në 16 shkurt 2021, duke synuar lidhja e një marrëveshje me një kompani private, e cila do furnizojë me ushqim koncentrat institutin e qenve të Policisë së Shtetit.

Sipas dokumentacionit që siguron Ora News, sasia ushqimore që do blihet për qentë e rritur të policisë shkon tek 21 mijë kg, ndërsa për këlyshët e vegjël shkon diku tek 6 mijë kg.

“Brendi”, “Lama”, “Deni”, “Uga”, “Epsi”, “Kueni”, “Pega”, “Kif”, “Asa”, “Lisi” dhe “Ira”, janë disa nga qentë që konsiderohen si agjentët policorë me katër këmbë, dhe që shpesh herë policia i përdor për kontrollin e drogërave, eksplozivëve, por edhe për raste të fatkeqësive natyrore, siç ishte tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Durrës.

Kjo fatkeqësi natyrore bëri që Policia e Shtetit të kthejë vëmendjen tek qentë e Institutit të Përgatitjes, me qëllim trajtimin me ushqim por edhe me mësim rigoroz, me qëllim përdorimin e tyre më me efikasitet, në rastet e tragjedive natyrore, ku kërkohet dhe shpëtimi i sa më shumë jetëve njerëzore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat