Rrëfimi i vajzës së ri-infektuar: Mendoja se kisha fituar anti-trupa, nuk po u besoja syve kur pashë testin

Shqipëria

Rrëfimi i vajzës së ri-infektuar: Mendoja se kisha fituar anti-trupa, nuk po u besoja syve kur pashë testin

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 19:56
Ilustrim

“Kur bëra testin e shpejtë për të dytën herë nuk e mendoja se do të dilte pozitiv,” tregon I.SH, një vajzë 28-vjeçare e cila e ka kaluar Covid-19 dy herë. Ajo i tha gazetës “Si” se herën e parë që ishte infektuar ishte izoluar në shtëpi me të gjithë njerëzit e saj dhe kishin paguar një infermier për t’i trajtuar i cili vinte dy herë në ditë.

I. SH tregoi se për rreth 12 ditë në fund të muajit Shtator të vitit të kaluar kishte temperaturë të lartë, 38 e gjysmë, ndërsa kolla dhe vështirësia në frymëmarrje i kishte nisur në ditën e pestë, ndërkohë që e vetmja gjë që kishte kuptuar nga infermieri që e vizitonte në shtëpi ishte se problemi më i madh tek ajo ishte temperatura jo konstante.

“Mbaj mend që të gjithë ishim shumë keq. Unë nuk kisha fuqi të ngrihesha në këmbë për të shkuar në tualet dhe i vetmi që ishte në gjendje pak më mirë se të tjerët dhe kujdesej për në ishte i fejuari, nga gjashtë pjesëtarë që ishim në familje. Temperatura ime në një moment ishte 36, pastaj menjëherë për 40 minuta shkonte 38,” tregon vajza e cila shprehet se që prej fillimit të pandemisë nuk ka pasur tepër kujdes sepse nuk besonte tek virusi.

E reja tregon se në të njëjtën kohë ishin prekur nga virusi edhe familjarë të tjerë të cilët ajo i kishte takuar një javë para se të sëmurej. I.SH i tha gazetës se përpos sëmundjes që e mundonte, mbi vete mbante dhe peshën e fajit se kishte infektuar prindërit, të cilët vuanin nga sëmundje të tjera.

Përgjigjet e dy testeve që e konfirmuan me Covid-19

Ajo ushtron profesionin e stilistes në një dyqan të vogël që e ka hapur pranë shtëpisë në zonën e 21-shit. 28-vjeçarja i tha Gazetës se në momentin që e kaloi Covid-19 për herën e parë, mendoi se shpëtoi nga një e keqe shumë e madhe.

Por ajo tregon se që nga momenti kur tamponi i fundit i doli negativ, jeta e saj rifilloi përsëri ashtu si kishte qenë. Pas 12 ditëve më të këqija që kishte kaluar në jetë shtatorin e shkuar, ajo përsëri nuk i kishte kushtuar rëndësi faktit se mund të infektohej prapë, pasi mendonte se e kishte kaluar Covid-19 një herë, nuk do të prekej më.

Shkonte çdo ditë tek biznesi i saj dhe kishte komunikim me shumë njerëz pasi e kaloi Covid-in herën e parë. I. SH tregon se filloi edhe jetën e saj normale duke shkuar në restorante, lokale, festa të ndryshme të miqve, por pa marrë asnjë masë tashmë sepse kishte gjithnjë idenë se kishte antitrupa dhe kishte lexuar që mund të zgjasnin deri në gjashtë muaj. Kjo situatë vijoi për rreth tre muaj. Në fillim të dhjetorit ajo u riinfektua përsëri dhe ishte pikërisht testi i shpejtë që i tregoi se ishte përsëri mbartëse e virusit Sars-Cov-2.

“E gjithë kjo ishte falë mos kujdesit tim. Unë edhe shoqet e mia kur i takoja, iu thoja me shaka “hajde të përqafoj, të të jap ca antitrupa” dhe kështu ndodhi që u infektova. Nëse herën e parë nuk e dija se si e kisha marrë virusin, herën e dytë e di që ishte për mos kujdesin tim sepse duke menduar që e kisha kaluar njëherë dhe duke dëgjuar se personat e prekur njëherë nuk kanë më probleme,” shpjegon 28 vjeçarja e cila shton se herën e dytë u infektua edhe i fejuari i saj.

Ajo i tha gazetës se herën e dytë simptomat ishin shumë më të lehta nga hera e parë. Bashkë me të fejuarin ajo kishte kaluar 3 ditë me temperaturë, e gjatë kohës vetëm ajo kishte pasur të vjella, diarre dhe dhimbje koke të rënduar. Këtë gjë e kishin zbuluar fillimisht nga testi i shpejtë, e më pas kishin bërë tamponin që i tregoi saktë se ishte përsëri me Covid-19.

Por a kishte marrë ndonjëherë ndëshkim për mos kujdesin e saj?

Sigurisht që jo! E reja tregon se njëjtë si nga fillimi i pandemisë edhe sot e kësaj ditë kurrë nuk është ndëshkuar nëse ka dalë në rrugë pa maskë.

I.SH i tregoi gazetës gjithashtu se tani është më e qetë dhe gjithashtu, ndjehet edhe më e mbrojtur.

“Fatmirësisht nuk pata probleme më të mëdha në familje, të gjithë e kaluam pa pasoja fatale dhe për këtë jam shumë e lumtur. Gjithashtu, jam e lumtur që jam më e mbrojtur dhe bëj një jetë normale përsëri,” shton vajza e cila vijon punën normalisht në dyqanin e saj.

Por si paraqitet situata e ri-infektimeve në vendin tonë?

Mjeku shqiptar në Spanjë Kita Sallabanda, i tha gazetës se rastet e infektimit janë të rralla, por ka vënë re se ato po shtohen. Për sa i përket Shqipërisë, mjeku tregon se i kanë rezultuar disa persona që janë riinfektuar.

“Mua me kanë konsultuar disa, edhe raste që nuk kanë antikorpe, edhe pse e kanë kaluar COVID-19. Në përgjithësi e kalojnë më lehtë,” shpjegon mjeku.

Më tej Sallabanda thotë për gazetën se pavarësisht kësaj tabloje, nuk beson se kjo do të ndikojë në shtimin e vdekjeve.

Ndërkaq, eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho e vendos më shumë theksin tek mungesa totale e masave në kulmin e sezonit të virozëve.

Ai shpjegon se përkeqësimi i situatës në vend lidhet më së shumti me faktin se nuk janë marrë masa dhe nga ana tjetër janë rritur më shumë rastet. Ndërsa për sa i përket riinfektimeve, Dasho thotë se “sigurisht që ka, por nuk janë përcaktuese në situatën aktuale epidemiologjike.

Nga ana tjetër në vendin tonë nuk ka të dhëna të qarta se sa persona janë të riinfektuar me virusin Sars-Cov-2, edhe pse jemi me numra të shtuar infektimesh dhe vdekjesh”.

Ekspertë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj kanë bërë apel gjatë gjithë kohës për të respektuar masat, ndërkohë që në disa vëzhgime të gazetës ka rezultuar se janë të paktë qytetarët që respektojnë rregullat, gjë kjo e pranuar edhe nga vetë ekspertët e Komitetit Teknik dhe mjekët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat