Banorët e lagjes “Dyli Haxhire” në Elbasan vuajnë për pikën e ujit dhe për 300 metra rrugë

Shqipëria

Banorët e lagjes “Dyli Haxhire” në Elbasan vuajnë për pikën e ujit dhe për 300 metra rrugë

Më: 26 shkurt 2021 Në ora: 23:07
Elbasan

Banorët e rrugës “Kongresi i Përmetit” në Elbasan  ankohen  në Fiks Fare se për shumë vite në lagjen e tyre nuk është vënë dorë për rregullimin e infrastrukturës.

Në këtë rrugicë të lagjes “Dyli Haxhire” jetojnë rreth 30 familje dhe janë të ardhur pas viteve 1990.

Banorët e kësaj rruge, shumica i përkasin minoritetit romë,  jetojnë me mbledhjen e kanaçeve metalike dhe bidonëve plastikë nëpër kazanët e plehrave të qytetit.

Kjo rrugë është afër një kodre më ullishte dhe në ditë me shi të rrëmbyeshëm bëhet e pakalueshme. Dikur aty afër ka ekzistuar një repart ushtarak dhe rruga ka qenë e shtruar me asfalt. Ndërsa sot mund të duken disa shenja të asfaltit, por më shumë ka gurë të mëdhenj dhe baltë, gjë që e bën të vështirë kalimin e makinave.  Por kjo rrugë e lënë në mëshirë të fatit ka një gjatësi vetëm 300 metra.

Para disa vitesh është bërë një investim në këtë rrugë ku janë bërë kanalizimet e ujërave të zeza dhe janë shtruar tuba për ujë të pijshëm, por ujë banorët nuk kanë parë ndonjëherë nga çezmat e tyre në shtëpi.  Ata ende mbushin ku të munden. Pikërisht për këto dy gjëra thelbësore ankohen edhe në Fiks Fare që Bashkia Elbasan tu rregulloj 300 metra rrugë dhe të kenë ujë të pijshëm.

Fiks Fare u interesua në Bashkinë Elbasan në lidhje me problemin e banorëve të Lagjes “Dyli Haxhire” . Marvi Avllazagai, specialist i urbanistikës,  Bashkia Elbasan sqaroi se lidhur me furnizimin me ujë  të pijshëm të banorëve, brenda këtij  gjashtëmujorit do të ndërtohet një depo uji dhe do të realizohet  furnizimi me ujë.

“Për sa i përket rrugës “Dyli Haxhire”, nuk është në listën e rrugëve prioritare të qytetit të Elbasanit, pasi janë dhe shumë rrugë të tjera informale, pasi në dëgjesën që është bërë me komunitetin e kësaj lagjeje, nuk është kërkuar një gjë e tillë, por pavarësisht kësaj, do të shikohet që brenda buxhetit të bashkisë të rregullohet dhe kjo rrugë brenda këtij viti kalendarik që kemi hyrë” përfundon specialisti Bashkisë Elbasan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat