70 vjetori i vrasjes pa gjyq të 22 intelektualëve, Basha: Kujtesë që të mbrojmë rrugën tonë evropiane

Shqipëria

70 vjetori i vrasjes pa gjyq të 22 intelektualëve, Basha: Kujtesë që të mbrojmë rrugën tonë evropiane

Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 13:18
Foto e publikuar ne Facebook

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka përkujtuar ditën e sotme, 70-vjetorin e vrasjes pa gjyq të 22 intelektualëve nga diktatura.

Duke kujtuar Ali Qoralliun, Anton Delhysën, Gjon Temalin, Fadil Dizdarin, Gafurr Jegenin, Haki Kodrën, Hekuran Trokën, Jonuz Kaçelin, Luka Rashkoviçin, Manush Peshkëpinë, Mehmet Ali Shkupin, Myftar Jegenin, Niko Lezon, Pandeli Novën, Petro Konomin, Pjerin Guraziun, Qemal Kasoruhon, Reiz Selfon, Sabiha Kasimatin, Tefik Shehun, Thoma Katundin dhe Zyhdi Herrin, Basha shprehet se sakrifica e tyrë duhet të na shërbejë si përkujtesë se rrugën evropiane të vendit duhet ta mbrojmë me çdo kusht.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, kryedemokrati shkruan po ashtu se ata që, sipas tij, e ndërprenë rrugën evropiane të vendit përpara 70 vitesh dhe të tjerë, do të humbasin ndërsa “Shqipëria europiane do të fitojë”.

Postimi i plotë:

“Si sot, 70 vite më parë regjimi gjakatar i diktaturës komuniste të Enver Hoxhës ekzekutoi pa gjyq dhe me akuza të falsifikuara 22 intelektualë. Arsyeja e vërtetë e këtij krimi ishte frika e regjimit nga forca, formimi dhe reputacioni i shkollimit të tyre në akademitë dhe shkollat më të mira perëndimore.

Sot ne i kujtojmë me dhimbje dhe respekt Ali Qoralliun, Anton Delhysën, Gjon Temalin, Fadil Dizdarin, Gafurr Jegenin, Haki Kodrën, Hekuran Trokën, Jonuz Kaçelin, Luka Rashkoviçin, Manush Peshkëpinë, Mehmet Ali Shkupin, Myftar Jegenin, Niko Lezon, Pandeli Novën, Petro Konomin, Pjerin Guraziun, Qemal Kasoruhon, Reiz Selfon, Sabiha Kasimatin, Tefik Shehun, Thoma Katundin dhe Zyhdi Herrin.

Sakrifica e tyre do të na shërbejë gjithmonë si përkujtesë se rrugën europiane të Shqipërisë na takon ta mbrojmë me çdo kusht. Ata që e ndërprenë këtë rrugë përpara 70 vitesh dhe të tjerë që duan ta pengojnë sot, do të humbin dhe Shqipëria europiane do të fitojë!” 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat