“Do të jem gjithmonë për ty!”/ Tentoi të vrasë veten nga bullizimi ndër vite, vajza surprizohet nga nëna dhe idhulli i saj

Shqipëria

“Do të jem gjithmonë për ty!”/ Tentoi të vrasë veten nga bullizimi ndër vite, vajza surprizohet nga nëna dhe idhulli i saj

Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 21:58
Foto

Bullizmi është një ndër fenomenet më të përhapur në botë, por vitet e fundit është vënë re se në shkollat shqiptare ka një rritje të theksuar.

Adoleshentët në Shqipëri paragjykojnë, përbuzin, madje ushtrojnë edhe dhunë tek bashkëmoshatarët e tyre të cilët janë ndryshe nga ata. Mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur” u trajtua historia e Paolës, vajzës nga Lezha, e cila për vite të tëra ishte dhunuar psikologjikisht nga shoqëria e saj.

Në studion e programit “Dua të të bëj të lumtur” kishte ardhur mamaja e Paolës, Liljana e cila rrëfeu historinë e jetës së tyre. Liljana shumë vite më parë ishte njohur me babain e Paolës dhe kishte vendosur që të martohej me të. Kohë më vonë midis tyre kishin nisur konfliktet dhe debatet derisa ish-bashkëshorti i saj kishte filluar të ushtronte dhunë fizike mbi të. Liljana tregoi se dhuna e vazhdueshme ndaj saj dhe Paolës ishte bërë e padurueshme, deri sa ajo kishte vendosur që të divorcohej.

Gjendja ekonomike e Paolës, puna që bënte Liljana, ndarja nga jeta e babait, mënyra se si jetonte, ishin disa nga arsyet që miqtë e saj për vite të tëra t’a bullizonin. Sipas Liljanës, Paola nuk kishte mundur që t’a përballonte dot gjithë këtë presion të ushtruar ndaj saj dhe fatkeqësisht kishte menduar që të lëndonte veten.

Për këtë arsye Liljana kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” që t’i tregonte Paolës që ajo nuk është e vetme në këtë rrugëtim. “Dua që të bëhesh e fortë dhe të mos dëgjosh se çfarë të thonë të tjerët. Unë jam këtu për ty e do jem gjithmonë duke të mbështetur! Prandaj mos u mërzit më.”,- ishte mesazhi i Liljanës për vajzën e saj.

Paola rrëfeu vështirësitë dhe pengesat që ishte detyruar të kalonte gjatë gjithë kësaj kohe dhe se nuk e kishte kuptuar arsyen se përse bullizohej. Ajo u shpreh duke thënë: “Kam rënë pre e bullizmit shumë e vogël dhe u lëndova shumë. Më lëndonin, më përbuznin për fatkeqësitë që më kishin ndodhur në jetë. Pavarësisht përpjekjeve të mia që ata të ndalonin, kjo gjë nuk ndodhi kurrë. Jeta më dukej e kotë, sepse askush nuk po më përkrahte, aq sa arrita të mendoja vetvrasjen.”

E ftuara surprizë për Paolën ishte këngëtarja tepër e dashur për publikun, Mariza Ikonomi e cila shumë vite më parë gjithashtu kishte rënë pre e bullizmit. “Ne në jetë zhgënjehemi nga shumë njerëz, por kurrë mos e humb besimin në vetvete. Teksa dëgjoja historinë tënde m’u kujtua vetja ime, sepse dhe në fillimet e mija njerëzit më paragjykonin për zërin, por sot e shoh si një veçanti, prandaj kurrë mos hiq dorë!”

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat