I qetë dhe i zbrazët në dimër, Borshi me sytë nga vera dhe turistët

Shqipëria

I qetë dhe i zbrazët në dimër, Borshi me sytë nga vera dhe turistët

Më: 1 mars 2021 Në ora: 09:51
Borsh

Ndryshe nga mbipopullimi i verës, çdo stine tjetër në Borsh është e shkretë.

Në fshatin turistik të lakmuar gjatë ditëve të nxehta, këtë fund shkurti rrallë sheh njerëz rrugëve.

Më të rinjtë janë larguar. Aty kanë mbetur prindërit e tyre, shumica të moshuar.

Ata tregojnë vështirësitë ekonomike që hasin përtej sezonit turistik.

“Punë nuk ka, në Borsh 1 muaj e gjysmë është turizmi.”

“Janë të stresuar, janë të ngujuar brenda nga frika. Punë nuk ka.”

Të ardhurat që nxjerrin gjatë verës nuk mjaftojnë për pjesën tjetër të vitit, ndaj sytë i kanë kthyer nga kultivimi dhe tregtimi i agrumeve.

“Kanë punuar te ulliri njerëzit, kanë pasur pak të ardhura. Tani janë pa punë, përgatiten për beharin.”

“Ka shumë njerëz që nuk e përballojnë dot jetesën, ilaçet.”

Shpresojnë që kjo verë të jetë më fitimprurëse se e shkuara edhe pse janë të vetëdijshëm që sezoni do të diktohet nga situata e pandemisë.

“Kemi shpresë se mos do të jetë më e mirë se sezonin e kaluar, nuk e di si do të zhvillohen ngjarjet.”

“Mbase lehtësohet masat dhe ikën kjo frika e Covid.”

Në fshatin bregdetar të Borshit jetojnë rreth 2500 banorë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat