Sejamini: Shqiptarët janë të lodhur me të gjithë, opozita duhet të bëjë kontrastin

Shqipëria

Sejamini: Shqiptarët janë të lodhur me të gjithë, opozita duhet të bëjë kontrastin

Më: 18 mars 2021 Në ora: 22:53
Neritan Sejamini

Neritan Sejamini, drejtues i emisionit “Me pak fjalë” në Euronews Albania thotë se në Shqipëri është krijuar një klishe që rotacioni i pushtetit ndodh çdo 8 vjet. Kjo sipas tij mund të ketë shërbyer për të vënë në gjumë opozitën dhe nga ana tjetër ka mobilizuar mazhorancën për të thyer këtë rregull.

“Ne krijojmë klishe mbi demokracinë dhe marrim për të mirëqenë gjëra që nuk ekzistojnë. Në demokraci nuk do të thotë se ikën udhëheqësi çdo 4 vjet, edhe në demokraci mund të qëndrojë udhëheqësi 12 apo 16 vjet, siç qëndroi zonja Merkel”, tha z. Sejamini.

Sipas tij opozita duhet të bëjë kontrastin përballë qeverisë, gjë që nuk po e bën deri tani pasi nuk ka paraqitur alternativë por vetëm ka sulmuar kryeministri.

“Opozita merret më shumë duke sharë Ramën se sa për të bërë kontrast, të tregojë të kundërtën e Ramës. Opozita duhet të tregojë që ka vlera të tjera. Nëse Rama bën atë që po bën, opozita duhet të merret me gjera të tjera dhe të tregojnë se është e aftë për të qeverisur. Opozita ka kritikuar për çdo gjë nga akuza të rëndë deri tek ato të zbutura dhe në fund kontrasti zbehet. Kjo mund të ndikojë dhe ndaj popullariteti nuk është popullaritet por një zgjidhje relative”, u shpreh z. Sejamini.

Drejtuesi i emisionit “Me pak fjalë”, tha se në listat e zgjedhësve sot janë 1.3 milionë votues që kanë ikur nga Shqipëria. Kjo sipas tij ndikon në zgjedhje, por gjithashtu ndikon edhe fakti se shqiptarët janë të lodhur nga tranzicioni i gjatë dhe nuk kanë më besim se gjërat do të ndryshojnë.

“Problemi i korrupsionit, problemi i krimit dhe i keqqeverisjes është një problem 30-vjeçar i Shqipërisë dhe përderisa është problem 30-vjeçar njerëzit janë mësuar dhe ka humbur ndjeshmëria ndaj këtyre problemeve. Nuk i ka zgjidhur askush, një pjesë e tyre që sot kërkojnë mandatin kanë qenë në pushtet para 8 vjetësh. Kjo ndikon jashtë masë”, tha ai.

“Unë mendoj që për 50 vjet Shqipërisë i bën mirë që çdo 4 vjet të ndryshojë qeverinë, pse jo dhe çdo dy vjet. Por e lëmë mendimin tim, por po gjykojmë njerëzit. Shqiptarët janë të lodhur me të gjithë dhe nuk kanë shpresë se opozita do të ndryshojë situatën. Problemi është se kur je në opozitë flet për krimin dhe korrupsionin dhe kur vjen në qeveri nuk fut asnjë njeri në burg. Kjo ka ndodhur në 1997 dhe në 2005”, shtoi z. Sejamini.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat