‘Akses të kufizuar në arsim’/ Xhixho: Koronavirusi po thellon bilancin tragjik në vendin tonë

Shqipëria

‘Akses të kufizuar në arsim’/ Xhixho: Koronavirusi po thellon bilancin tragjik në vendin tonë

Më: 20 mars 2021 Në ora: 19:15
Foto ilustrim

Kandidatja për deputete e LSI Erisa Xhixho, ka ngritur shqetësimin mbi pasojat e parikuperueshme që pandemia po ia shkakton brezit të ri.

Sipas Xhixhos, nxënësve, që bashkë me presionin psikologjik, po u lë boshllëqe pa fund në nivelin arsimor, pasi një raport i fundit i Bankës Botërore, theksonte se, në vendet në zhvillim me të ardhura të mesme, ku bën pjesë edhe Shqipëria, 63 nxënës në 100 të tillë kanë akses të kufizuar në arsim, e cilësuar ndryshe si varfëri arsimore.

Postimi i plotë i Erisa Xhixhos:

Ndërkohë që koronavirusi po thellon bilancin tragjik në vendin tonë, me një numër viktimash në rritje e kur ekonomia është fundosur, nuk mund të harrojmë që pasoja të parikuperueshme pandemia ia shkakton brezit të ri. Nxënësve, që bashkë me presionin psikologjik, po u lë boshllëqe pa fund në nivelin arsimor.

Një raport i fundit i Bankës Botërore, theksonte se, në vendet në zhvillim me të ardhura të mesme, ku bën pjesë edhe Shqipëria, 63 nxënës në 100 të tillë kanë akses të kufizuar në arsim, e cilësuar ndryshe si varfëri arsimore.

Shumë nxënës nuk kanë qasje në internet dhe nuk kanë platforma efikase të të mësuarit online. Për rrjedhojë, më shumë se 60% e nxënësve kanë humbur mundësitë për të përfituar njohuritë sipas programeve dhe kurrikulave mësimore.

Në Shqipëri rreth 400 mijë fëmijë të ciklit 9-vjeçar vijojnë mësimin online dhe në mënyrë të alternuar me orë të kufizuar në klasë. Kush është prind vetë, e di se çfarë do të thonë të dyja mënyrat.

Sakrificë e madhe për t’i çuar e marrë në shkolla, sipas turneve, në shumë raste larg banesave dhe torturë e vërtetë për t’u loguar në platformat online të të mësuarit, që rezultuan një dështim ekselent që në nisje.

Çoroditje për nxënësit, padyshim edhe një lodhje e stërmundim për mësuesit, të detyruar të punojnë në kushte përtej normales, me ngarkesë mësimore, frikë nga pandemia dhe mungesë të internetit.

Kur këto probleme i kemi në qendrat urbane, ç’mund të themi për atë që ndodh në zonat e thella, kur vetëm për akses në internet nuk mund të flitet.

Kryeministri, që vetëm së fundi premtoi se me mandatin e tretëdo të sjellë ujë 24 orë në Tiranë, duhet t’u përgjigjet nxënësve, sidomos në fshatra, se pse në tualetet e shkollave të tyre nuk ka ujë të rrjedhshëm? Të mos flasim pastaj për detergjent, dezinfektant, sigurim të maskave dhe le më tej për Ipad.

Me bujë u deklaruan 3.5 milionë euro për iPad-et dhe u premtua se ne në 2018 do të mbarojë furnizimi në 372 gjimnaze.

Në fillim të procesit të zhvillimit të mësimit online, numri i fëmijëve të cilët nuk patën akses në mësimin online ishin 10 mijë fëmijë.

Se si është situata sot, e dëshmoi hapur pandemia, me mungesëaksesi dhe pamundësi teknologjike për shumë familje të varfëra, me më shumë se një fëmijë, që duhet të alternojnë kompjuterin (nëse në rastin më fatlumë e kanë) për të bërë mësimet. Po faturën për abonim kush e garanton?  

Kryeministri që rrahu gjoksin teksa shpalosi programin për arsimin për mandatin e tretë, duke thënë se fëmija i një VIP-i sfidon fëmijën e prindërve të varfër për në universitet, a e di se shumë familje edhe pse sakrifikojnë bukën e gojës për shkollimin e fëmijëve nuk kanë mundësi ekonomike t’i shkollojnë?

Pse nuk kemi sot shifra të sakta të mësuesve të prekur nga pandemia dhe të atyre që nuk ia dolën dot betejës me virusin?

Një brez i tërë do të vuajë për dekada mangësinë e madhe qëshkaktoi pandemia, në kushtet e një menaxhimi skandaloz nga ana e qeverisë. Një parti që merr votat duke deklaruar se është e majtë ka vite që tregon se vetëm me të majtën nuk ka lidhje.

La në mëshirë të fatit shtresat më të varfra, më të pamundura, më vulnerabël, që pasi i mashtroi për arsim me meritë, shkolla të reja, rikonstruktime, kushte, dixhitalizim, e punësim të siguruar pas shkollimit, i degdisi të marrin rrugën e botës, si në një eksod biblik, të dhimbshëm, e shpopullues për vendin.

Ndryshe, përse 94% e atyre që studiojnë jashtë nuk dëshirojnë më të kthehen, e ata që janë ende duan të marrin arratinë?

Shqipëria e Ramës, nuk është ajo e shqiptarëve. Shqiptarët nuk kanë më kohë për të humbur mes mashtrimit, zhgënjimit dhe rrënimit dhe ata do të flasin me votë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat