Sot nis vaksinimi masiv i qytetarëve në sheshin “Skënderbej”

Shqipëria

Sot nis vaksinimi masiv i qytetarëve në sheshin “Skënderbej”

Më: 28 mars 2021 Në ora: 08:41
Çadrat për vaksinimin masiv të popullsisë

Vaksinimi masiv i popullsisë nis ditën e sotme ku në sheshin “Skënderbej”.

Dy çadra të mëdha janë ngritur dhe bërë gati gjatë natës, ku secila ka nga 10 pika vaksinimi për qytetarët.

Vaksinimi te sheshi “Skënderbej” do të fillojë për moshat mbi 75 vjeç, të cilët do të lajmërohen nga mjeku i familjes.

Në ndihmë të bluzave të bardha do të bashkohen edhe mjekët e Forcave të Armatosura, ndërsa nisja e vaksinimit masiv pritet që të plotësojë planin ambicioz për të mbyllur vaksinimin në 14 muaj.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dha detaje një ditë më parë se si do të jenë të organizuara çadrat e ngritura në sheshin “Skënderbej”.

Ajo theksoi se qendra e vaksinimit masiv do të mundësojë kryerjen nga 800 deri në 1000 vaksinime në ditë.

“Planifikohet të kemi 10 poste të vaksinimit, 10 pika të regjistrimit, duke mundësuar kështu një regjistrim të shpejtë të qytetarëve, një kryerje të shpejtë të anamnezës, më pas vaksinimin dhe më pas vendosjen e posteve të postvaksinimit. Këto çadra do të kenë dhe ambiente ruajtje frigoriferike për vaksinat”, tha ministrja.

Me ecurinë e këtij procesi pritet që të ketë një lehtësim të masave në sezonin veror, ndërsa deri në qershor pritet që të kenë marrë vaksinën anti-COVID, 500 mijë qytetarë.

Procesi i vaksinimit në vend vijon që prej 11 janarit në vendin tonë në qendra të vaksinimit dhe shkolla. Qytetarët shqiptarë deri më tani po imunizohen me vaksinat Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe së fundmi edhe me Coronavac.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat