Zhduken pamjet e kamerave të sigurisë që filmuan ekzekutimin në Elbasan

Shqipëria

Zhduken pamjet e kamerave të sigurisë që filmuan ekzekutimin në Elbasan

Më: 22 prill 2021 Në ora: 00:39
Pamje nga vendi i ngjarjes

Pamjet e vrasjes së sotme në Elbasan të Pjerin Xhuvanit janë zhdukur. Momentet e shkëmbimit të zjarrit në lagjen “5 Maji” pranë zyrës elektorale të PD-së janë fshirë nga serverat e bizneseve përballë skenës së krimit që tronditi Elbasanin.

Në momentin që policia ka shkuar për të sekuestruar pamjet e kamerave nuk janë gjetur serverat. Gazetarët Artan Hoxha dhe Klodiana Lala deklaruan se serverat janë fshirë.

“Nuk ka kamera sigurie që e kanë filmuar momentin, sepse policia thotë se janë pa server” deklaroi Lala sonte në Opinion.

Ndërkohë që ngjarja kriminale që tronditi sot në Elbasanin nuk la katër të plagosur, por pesë. Gazetari Spartak Koka deklaroi se një person tjetër është plagosur dhe po mjekohet në shtëpi.

“Janë 5 persona deri më tani të shpallur në kërkim, njëri prej tyre dyshohet të ketë mbetur i plagosur në vendngjarje dhe po merr mjekim, sipas informacionit operativ, po merr mjekim fshehurazi. Po punohet nga strukturat e policisë për ta kapur, por dyshohet se po mjekohet në mënyrë të fshehtë” tha Koka.

Por si ndodhi ekzekutimi në Elbasan?

Mesditën e sotme rreth orës 14:00 në lagjen “5 Maji” përpara zyrës elektorale të PD-së në Elbasan ndodhi përplasja me armë me prapavijë politike. Të përfshirë ishin dy grupe, PS dhe PD. Nga grupi i PS-së, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit humbi jetën Pjerin Xhuvani dhe u plagos dhëndri i tij Eltjon Bodinaku.

Nga grupi i PD-së u plagosën Emiljan Prenga 39 vjeç dhe Pavlo Vuksani 50 vjeç. Ndërkohë që një tjetër person është plagosur dhe po mjekohet fshehurazi në shtëpi, sipas gazetarit Spartak Koka.

Autori i vrasjes së Xhuvanit sipas policisë është Arbër Papleka, pjesë e strukturës së PD-së në Elbasan për të mbrojtur votën. Konflikti mes palëve nisi pas denoncimit të grupit të PD-së se në zonën e “5 Majit” po lëvizte një makinë ku socialistët po shpërndanin lekë për zgjedhjet.

Në kërkim për ngjarjen është shpallur Kelmend Xhaferri i njohur edhe si Kel Çami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat