Anila Denaj në Kuvend: 2 miliardë lekë shtesë për blerjen e vaksinave kundër Covid-19

Shqipëria

Anila Denaj në Kuvend: 2 miliardë lekë shtesë për blerjen e vaksinave kundër Covid-19

Më: 4 maj 2021 Në ora: 12:29
Anila Denaj

Ministrja e Financave, Anila Denaj, duke folur në seancën e sotme plenare në lidhje me Aktin Normativ për ndryshimet në buxhetin 2021, tha se prioritet i Qeverisë është vaksinimi i qytetarëve dhe ndryshimet parashikojnë shtesën 2 miliardë lekë për Fondin Rezerve me destinacion: blerja e vaksinave.

Denaj: Përtej procesit zgjedhor rindërtimi dhe vaksinimi ka vijuar me intensitet të lartë. Sapo është realizuar vaksinimi i më shumë se gjysmë milioni shqiptarë.

Vaksinimi do të vijojë të mbetet një nga prioritet e deklaruara të Qeverisë Shqiptare.
Rrjedhimisht, për të arritur imunizimin e të gjithë popullatës së vendit, objektivi ynë i përbashkët mbetet vaksinimi i 2.2 milionë qytetarëve shqiptarë, për të cilët nevojiten 4.4 milion doza vaksina. Ja përse në muajin prill, Qeveria ndërmori një proces për rishikimin e skenarëve të buxhetit të shtetit për vitin 2021.

Kjo ishte vetëm përpjekja e radhës në angazhimin për të siguruar çdo financim të nevojshëm për vaksinimin e qytetarëve shqiptarë.

Deri më sot Qeveria Shqiptare ka nënshkruar kontrata për sigurimin e 2.2 milion dozave të vaksinave, doza të cilat janë në përdorim dhe në proces të vaksinimit të popullatës. Megjithatë, për përmbushjen e objektivit të imunizimit ndaj Covid-19 kërkohen dhe 2.2 milion doza të tjera vaksine. E përkthyer në vlerë monetare, bazuar në çmimet e vaksinave, kjo nënkupton një financim shtesë për 2 miliardë lekësh të dedikuar për blerjen e vaksinave. Ne Mbetemi përballë një situate pozitive për Shqipërinë, por dinamike.

Bazuar në vlerësimet mbi ecurinë e deritanishme të treguesve të buxhetit 2021, si edhe pritshmërinë e performancës së tyre deri në fund të vitit 2021, ky akt normativ përcakton vetëm një ndryshim kyç i cili ka të bëjë me shtesën me 2 miliardë lekë në Fondin Rezervë të Këshillit të Ministrave.

Me qëllim përballimin e shpenzimeve të blerjes së vaksinave gjatë vitit 2021, si edhe të shpenzimeve të tjera eventuale të qeverisë qe lidhen me pandeminë Covid 19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat