Kushtetuesja ‘liberalizon’ të drejtën e protestës, avokati Matlija: Tani mund t’i bëhet ‘karshillëk’ shtetit pa bërë dëm publik

Shqipëria

Kushtetuesja ‘liberalizon’ të drejtën e protestës, avokati Matlija: Tani mund t’i bëhet ‘karshillëk’ shtetit pa bërë dëm publik

Më: 5 maj 2021 Në ora: 18:44
Dorian Matlija

Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Gjykatës së Apelit Shkodër duke vendosur shfuqizimin e shprehjes “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në nenin 262 të Kodit Penal, ku parashikohet Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme. Në këtë mënyrë për protesta të organizuara nga subjekte të ndryshme, do të nevojitet vetëm njoftimi i policisë ashtu siç parashikohet edhe në ligjin për tubimet.

Avokati Dorian Matlija tha për Euronews Albania se ky është një lajm shumë i mirë dhe një vendim i drejtë i Gjykatës Kushtetuese, që shkon në të njëjtën linjë me vendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Si një avokat që shumë shpesh ka marrë në mbrojtje persona të proceduar penalisht për pjesëmarrje në protesta, avokati Matlija shpjegoi se heqja e togfjalëshit që parashikonte në çdo rast marrjen e lejes në organet kompetente për organizmin e protestave, është një vendim që duhet përshëndetur pasi tani nuk ka nevojë të merret leje, por vetëm të njoftohet policia për aktivitetin që do të organizohet.

“Kushtetuesja ka hequr konceptin e lejes. Tani s’ka nevojë të merret leje, por vetëm të njoftohet policia për aktivitetin. Për ato raste kur dikush bën një protestë duke i bërë ‘karshillëk’ shtetit, por nuk sjell asnjë dëm publik. Kjo shkon në një linjë me vendim e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut pasi ajo është shprehur se nëse  një protestë është paqësore, por pa lejen e organeve kompetente quhet e ligjshme. Problemi i madh me protestat në Shqipëri është kufizimi i organizmit të tyre, që i tejkalon ato që parashikon e konventa evropiane. E drejta e protestës duhet të jetë e kufizueshme, por këtu dikush penalizohet vetëm se i bën ‘karshillëk’ shtetit”, u shpreh avokati.

Por avokati Matija shprehu shqetësimin lidhur me faktin se ky vendim hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në fletoren zyrtare, që sipas tij është shumë vonë në një kohë që shumë shpejt mund të ketë protesta. Avokati sugjeroi që policia ta zbatojë që tani vendimin e Kushtetueses.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat