Sot Kuvendi në seancë plenare, çështja kryesore ngritja e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta!

Shqipëria

Sot Kuvendi në seancë plenare, çështja kryesore ngritja e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta!

Më: 7 maj 2021 Në ora: 07:59
Ilir Meta dhe Kuvendi

Ditën e sotme do të mblidhet në seancë plenare Kuvendi. Rendi i ditës do të jetë mjaft i ngjeshur për ligjvënësit por çështja e cila do të marrë vëmendjen kryesore është diskutimi dhe më pas vendimmarrja për ngritjen e Komisionit Hetimor pas kërkesës së 49 deputetëve për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Ditën e djeshme Komisioni i Ligjeve miratoi me 14 vota pro dhe 1 kundër, vetëm të deputetit Adriatik Alimadhit, raportin që do i dërgohet sot seancës plenare, ku argumentohet se kërkesa për shkarkimin e Metës është legjitime e bazuar në prova dhe i rekomandon seancës plenare ngritjen e Komisionit Hetimor. Në këtë seancë të 'Ligjeve' do duhej të zhvillohej seanca dëgjimore me kreun e shtetit, por ky i fundit ka refuzuar sërish duke thënë se ka një axhendë të zënë që nuk mund ta shkelë, dhe se është i gatshëm vetëm në datën 10 maj.

Komisioni i Ligjeve mbështeti dhe gjeti të bazuar kërkesën e 49 deputetëve, të cilët kërkojnë shkarkimin e Metës, pasi sipas tyre ka shkelur rëndë Kushtetutën me angazhimin e hapur në fushatë në krah të opozitës dhe kundër mazhorancës. Në raportin për ngritjen e komisionit hetimor, thuhet se Ilir Meta, me deklaratat dhe mesazhet e tij ka cenuar rëndë të drejtat kushtetuese të individëve, imazhin dhe reputacionin e vendit, si dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë të Shqipërisë, me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu në raportin për Parlamentin thuhet se Ilir Meta, para dhe gjatë zgjedhjeve, ka nxitur dhunë, urrejtje, ndasi si dhe vetëgjyqësi.

Sipas raportit, Meta ka shkelur edhe formulën e betimi si President. Kur mori detyrën, Meta u betua me dorën mbi Kushtetutë se do t’u qëndrojë besnik parmeve kushtetuese, por sipas raportit, sjelljet dhe në mesazhet e tij publike janë në kundërshtim me parimin e unitetit të popullit dhe të papajtueshme me Kushtetutën.

Data 9 maj është afati fundit për ngritjen e komisionit hetimor. Pas këtij afati komisioni është nul, pasi duhet të miratohet 4 muaj para mbarimit të mandatit të Parlamentit. Pikërisht për të djegur këtë afat, Ilir Meta kërkoi që të paraqitej për t’u dëgjuar në Komisionin e Ligjeve në datën 10 maj 2021.

Si nisën procedurat për shkarkimin e presidentit Ilir Meta? Për herë të dytë brenda dy viteve, Partia Socialiste nis procedurat për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta, për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Paralajmërimi i parë për shkarkimin e Metës erdhi fillimisht nga kryeministri Edi Rama, dy ditë para zgjedhje të 25 prillit, pasi Meta i shpalli luftë SHBA dhe ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Kujtojmë se Ilir Meta kishte paralajmëruar se do të jepte dorëheqjen por nuk e bëri një gjë të tillë pas zgjedhjeve. Ai ka thënë se do të kthehet në LSI në 2022, kur dhe i përfundon mandati i Presidentit. Nisur nga kjo, mazhoranca e njoftoi menjëherë nismën e saj për ta shkarkuar. Ishte vetë numri dy i PS-së, Taulant Balla i cili i pari konfirmoi një fakt të tillë, duke thënë se “do i bëjnë gati letrat e pensionit”. Ndërkohë që më i ashpër ishte Kryeministri Rama i cili tha se Ilir Metën e dënoi populli i Shqipërisë në mënyrën më spektakolare dhe Kuvendi  i Shqipërisë do të formalizojë këtë vendi.

Kuvendi diskuton sot disa akte të rëndësishme normative për çështjen e vaksinave, dekrete të Presidentit Meta etj.

Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 04.05.2021.

2. Njoftime.

3. Akt normativ nr. 14, datë 7.4.2021 “Për disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ nr. 9, datë 22.3.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e tekstit të marrëveshjes, ndërmjet ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar “KEYMEN ILAÇ SANAYI VE TICARET”, A.S, për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën e inaktivizuar kundër COVID-19

(VERO CELL) CORONAVAC, të krijuar nga SINOVAC LIFE SCIENCE CO, LTD dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës”.

4. Akt normativ nr. 15, datë 07.04.2021 “Për një ndryshim në aktin normativ nr. 1, datë 10.1.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e tekstit të marrëveshjes për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet PFIZER EXPORT B.V. dhe ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, autorizimin e procedurës për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinave ANTICOVID-19 në Republikën e Shqipërisë, si dhe përdorimin e tyre në popullatë”, miratuar me ligjin nr. 2/2021”, të ndryshuar”.

5. Akt normativ nr. 16, datë 7.4.2021 ”Për miratimin e tekstit të marrëveshjes, ndërmjet “HUMAN VACCINE” LLC dhe ministrisë të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin të Shqipërisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën kundër COVID-19 “SPUTNIK V”, të zhvilluar nga Instituti Kombëtar i Kërkimit GAMALEYA për epidemiologjinë dhe mikrobiologjinë në Rusi”.

6. Akt normativ nr. 17, datë 8.4.2021 “Për miratimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së furnizimit të nënshkruar ndërmjet ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit tëautorizuar “KEYMEN ILAÇ SANAYI VE TICARET” A.Ş”.

7. Akt normativ nr. 18, datë 14.4.2021 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 137/2020 “Përbuxhetin e vitit 2021” të ndryshuar””.

8. Akt normativ nr. 19, datë 16.4.2021 “Për miratimin e marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet “Human Vaccine” LLC dhe ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin të Shqipërisë dhe Institutit të Shëndetit Publik për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinënkundër COVIDE-19 “Sputnik V” të zhvilluar nga Instituti Kombëtar i Kërkimit GAMALEYA për epidemiologjinë dhe mikrobiologjinë në Rusi”.

9. Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.

10. Dekret i Presidentit të Republikës nr. 13.017, datë 12.04.2021, “Për kthimin e ligjit nr. 46/2021, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”.

11. Dekret i Presidentit të Republikës nr. 13.035, datë 16.04.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 43/2021 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi penal i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar””.

12. Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 13.036 datë 16.04.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 47/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” të ndryshuar””.

13. Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 13.037 datë 19.04.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 48/2021 “Për një ndryshim në ligjin nr. 25/2019 “Për organizimin funksionimin e Policisë Gjyqësore”.

14. Dekret i Presidentit të Republikës nr. 13.033 datë 16.04.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 49/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” të ndryshuar”’.

15. Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 13.034, datë 16.04.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 42/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

16. Dekret i Presidentit të Republikës nr. 13.031, datë 15.04.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 41/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar”’.

17. Dekret i Presidentit të Republikës nr. 13.032, datë 15.04.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 44/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8116, datë 29.03.1996 “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”.

18. Dekret i Presidentit të Republikës nr. 13.023, datë 14.04.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 45/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” të ndryshuar””.

19. Dekret i Presidentit të Republikës nr. 13.038 datë 19.04.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 50/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”’.

20. Projektvendim “Për miratimin e raportit dhe propozimit të komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për ngritjen e një komisioni hetimor, bazuar në kërkesën e një grupi deputetësh për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës”. 21. Projektvendim “Për zgjedhjen e 4 anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar”.

22. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (60’).

Image
22 pikat e rendit të ditës
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat