Banorët e Vaut të Dejës ngrihen në protestë: Mark Babani, hiq duart nga taksat tona!

Shqipëria

Banorët e Vaut të Dejës ngrihen në protestë: Mark Babani, hiq duart nga taksat tona!

Më: 12 maj 2021 Në ora: 11:31
Banorët e Vaut të Dejës ngrihen në protestë

Banorët e Vaut të Dejës me pankarta në duar kanë dalë të protestojnë kundër bashkisë, për shkak të rritjes së taksave.

Ata akuzojnë kryetarin e bashkisë, Mark Babanin dhe e cilësojnë atë si ‘ideatori’ i grabitjeve të taksave të qytetarëve.

Njëri prej protestuesve thotë se kryetari i bashkisë ka abuzuar me taksat e qytetarëve përmes sasive të karburantit të pajustifikuara në raport me mjetet që ka në pronësi bashkia.

Protestuesit i bëjnë thirrje Prokurorisë së Shkodrës që të nisë menjëherë hetimet dhe shtojnë se protestat nuk do të ndalin derisa personat fajtorë të dalin përpara drejtësisë.

“Vijat e taksave tona nuk ndalen, Mark Babani, ideatori i grabitjeve të taksave tona nuk ka të ngopur gjatë 4 viteve të qeverisjes në Vaun e Dejës. Korrik 2015- Korrik 2019 janë realizuar shpenzime për karburant lubrifikant me vlerë 572 milionë lekë, ndërkohë që gjatë muajve gusht 2019 prill 2021 te Mark Babani janë bërë abuzime galopante për blerje karburanti lubrifikant me vlerë 659 milionë lekë. 87 milionë lekë më shumë. Vjedhje për 21 muaj kjo. Duke abuzuar me taksat tona më të gjithë këtë sasi karburanti të pajustifikuar në raport me mjetet që ka në pronësi bashkia ka dhe abuzime marramendëse me pjesëtarë të fisit të tij, shumë e shumë punonjës të tjerë e shoferë pa dalë asnjë ditë të vetme në punë. Duke grabitur taksat tona, i bëjmë thirrje Prokurorisë të Shkodrës të nisë menjëherë hetimet, protestat tona nuk do të ndalin deri kur personat të dalin përpara drejtësisë”, shprehet një prej protestuesve.

Një tjetër protestues thotë se taksat janë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme, në një kohë kur papunësia është rritur dhe në vend është rritur varfëria. Ai shton se edhe pse banorët paguajnë taksën e pastrimit, ky shërbim nuk bëhet si duhet.

“Vazhdimisht në bashkinë e Vaut të Dejës janë përdorur taksat më të ulëta për banorët e bashkisë, ndërsa sot kur të gjithë e dimë shumë qartë se papunësia është rritur, rinia ka ikur nga vendi dhe kemi një nivel varfërie që është rritur, taksat e bashkisë janë rritur në mënyrë të çmendur nga këta drejtues që janë sot. Taksat janë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme, taksa e tokës sot është në nivelin 40% më e lartë se sa përcakton paketa fiskale dhe është 938 lekë më e lartë se ajo para 30 qershorit 2019. Shohim një nivel të lartë rrogash dhe punonjës të futur pas asnjë lloj kriteri si punonjës të bashkisë të Vaut të Dejës. Më përpara, gjatë 2015-2019 bashkia ka shpenzuar 544 milionë lekë për rroga punonjësish, ndërsa sot vetëm për 21 muaj që këta drejtues flasim për 358 milionë lekë. Nuk kryhet pastrimi, për ato çfarë banorët paguajnë nuk marrin shërbim. Paguajmë shumë më shumë dhe shërbimi është shumë i vogël për të mos thënë 0”, shprehet një tjetër protestues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat