VOA / Shkarkimi, Meta nuk paraqitet në Komision: S’është legjitim

Shqipëria

VOA / Shkarkimi, Meta nuk paraqitet në Komision: S’është legjitim

Më: 18 maj 2021 Në ora: 20:39
Ilir Meta

Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta nuk u paraqit sot në Komisionin hetimor të ngritur për të vlerësuar kërkesën për shkarkimin e tij duke e konsideruar atë si "të paligjshëm" dhe "antikushtetues". Komisioni megjithatë vendosi që t’i lerë Kreut të Shtetit, një afat disa ditor, deri të hënën e ardhshme, për të zhvilluar me të seancën dëgjimore. Deputetët socialistë, kanë kërkuar shkarkimin e zotit Meta, pasi ai sipas tyre ka “shkelur rëndë Kushtetutën” me përfshirjen e tij në procesin e zgjedhjeve për parlamentin e ardhshëm në favor të opozitës.

Presidenti Ilir Meta e kishte bërë të qartë që më parë pozicionin e tij ndaj procesit hetimor të nisur nga parlamenti. Ndërsa sot, një letër të gjatë drejtuar kryetarit të parlamentit Gramoz Ruçi, ai vetëm sa shtjelloi, me shumë më tepër detaje, kundërshtimin e tij dhe faktin që për të Komisioni hetimor është "një organ antikushtetues dhe i paligjshëm".

Sipas kreut të Shtetit, vetë ngritja e Komisinit "është bërë në shkelje flagrante të parimeve kushtetuese", e po ashtu të gjithë procedurat që kanë shoqëruar këtë proces. Ai shprehet se Komisioni "është ngritur në mënyrë fiktive dhe pa identifikuar asnjë shkelje të ndonjë dispozite kushtetuese". Për më tepër sipas tij në këtë periudhë tranzitore, deri në kostituimin e parlamentit të ri, nuk mund të ndërmerren nisma të tilla.

Në fakt socialistët nxituan të ngrenë komisionin brenda një harku të shkurtër kohor, duke qenë se sipas rregullores së parlamentit një nismë e tillë nuk mund të ndërmerret në katër muajt e fundit të mandatit të parlamentit. Për këtë arsye ata paraqitën kërkesën, e kaluan me shpejtësi në Komisionin e Ligjit pa i lënë kohë presidentit të mund të shprehej dhe e miratuan një ditë më pas në seancën e datës 7 maj.

Megjithatë në shkresën e tij zoti Meta vlerëson se kufizimi 4 mujor përfshin sipas tij dhe pamundësinë e ushtrimit të veprimtarisë së Komisionit. Sipas tij, “për të ndërprerë gjendjen e antikushtetutshmërisë dhe shkeljes së ligjit”, parlamenti duhet që pa vonesë të shfuqizojë vendimin për ngritjen e Komisionit Hetimor" dhe "të ndërpresë menjëherë çdo lloj procedure hetimore parlamentare".

Në kontekstin e gjithë këtij qëndrimi, ai nuk u paraqit sot në seancën dëgjimore të thirrur nga Komisioni duke lënë të kuptohet qartë se arsyeja nuk ishte fakti që ndodhej për një vizitë zyrtare jashtë vendit.

Megjithatë me propozimin e kryetarit të Komisionit Alket Hyseni, presidentit Meta ju lanë disa ditë të tjera kohë, brenda së cilave ai mund të zgjidhte momentin për t’u paraqitur. "Si detyrim i këtij Komisioni për ta thirrur e për ta dëgjuar Presidentin e Republikës, e detyrim i Presidentit të Republikës për të shprehur qëndrimin e tij në këtë Komision, në këtë këndvështrim do të propozoja që t’i nisim një shkresë, ku t’i komunikohet që ky Komision është gati për ta dëgjuar që nga dita e nesërme deri ditën e hënë. Le të zgjedhë presidenti i Republikës, një nga këto data, edhe orën”, deklaroi zoti Hyseni.

Në të njejtën kohë që komisioni zhvillonte punimet, në anën tjetër të së njejtës godinë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, u mblodhën për të hapur seancën mbi një tjetër përplasje, mes Qeverisë dhe Presidentit Meta, për dekretimet e ministrave. Socialistët kanë kërkuar interpretimin e Gjykatës për kompetencat e Kreut të shtetit për këtë çështje, pasi në janar të vitit 2019, ai refuzoi të dekretonte si ministër të Jashtëm emrin e Gent Cakajt, të propozuar nga Kryeministri. Sipas përfaqësueses së qeverisë, edhe në seancën e sotme, kreu i shtetit, me këtë akt, kishte tejkaluar kompetencat e tij. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat