Avokati Tomë Gashi flet për shpalljen e Sali Berishës “non-grata”, ka këtë porosi për ish-kryeministrin

Shqipëria

Avokati Tomë Gashi flet për shpalljen e Sali Berishës “non-grata”, ka këtë porosi për ish-kryeministrin

Më: 22 maj 2021 Në ora: 19:37
Tomë Gashi

I ftuar në një intervistë televizive, avokati Tomë Gashi ka folur për vendimin e DASH që trazoi politikën shqiptare vetëm pak ditë më parë kur shpalli Sali Berishën dhe familjen e tij non-grata.

Avokati kërkoi nga ish-Kryeministri që ta marrë seriozisht vendimin e DASH dhe të mos bëjë konferenca për mediat ku duket qesharak sipas tij, në momentin kur thotë se do ngrejë padi ndaj Blinken.

Sipas avokatit, Sali Berisha e ka ditur që kjo ditë do të vijë pasi ka kryer shumë afera korruptive, duke përmendur si më kryesoren çështjen e Gërdecit.

I pyetur nëse ky ndalim që i bëri SHBA Sali Berishës do të ketë një kosto për Partinë Demokratike, avokati u përgjigj me po, duke shtuar se kjo kosto mund të rregullohet vetëm në zgjedhjet brenda PD-së për kryetarin e ri.

Më tej, avokati Gashi u shpreh se nëse ky vendim i DASH do të ishte për ndalimin e hyrjes së Edi Ramës në SHBA, atëherë Partia Demokratike do ta shfrytëzonte këtë rast dhe do ta njolloste Edi Ramën dhe PS-në.

“Ky nuk është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët jo vetëm, për Sali Berishën dhe familjen e tij. Ky është në aspektin kombëtar, ndërsa personalisht Sali Berisha e ka ditur që kjo do vijë një ditë për shkak të aferave të shumta korruptive që ka pasur ai dhe familjarët e tij. Ndër të tjera ai e ka ditur se çështjen e Gërdecit NATO nuk do ja fali kurrë. Besoj se skandali ishte shumë i madh. Më e rënda është ajo që është bërë publike, jo vetëm ndalimi në SHBA, por dhënia e arsyetimeve nga Sekretari i Shtetit Amerikan. Kjo është një çështje serioze dhe Sali Berisha duhet ta marrë seriozisht këtë çështje dhe jo të mbajë konferenca për mediat ku duket thuajse qesharak me pretendimet e tij se do ngrejë padi kundër sekretarit.

Gjykatat në Francë apo kudo tjetër janë kjo kompetente. DASH e ka shpallur non-grata. Kjo ka ardhur në një kohë të mirë për shqiptarët. Kemi vetingun që thuajse përfundoi krejtësisht dhe kemi SPAK që do ta ketë shënjestër Sali Berishën dhe gjithë anëtarët e familjes për dyshime milionëshe. Mendon se kërcënimi i SHBA me një padi e tillë është një çështje që nuk mund të bëhet. Sali Berisha më mirë ka qenë të mos komentojë fare. DASH nuk është hera parë që shpall dikë non-grata. Është hera e parë që bën publike arsyet përse e ka shpallur. Nuk ka zgjidhje tjetër por të përballen me gjyqësinë shqiptare. Thuajse i është dhënë një dritë e gjelbër edhe SPAK. Berisha duhet të përballet me këto pretendime.

Definitivisht po. Të gjithë shqiptarët që na shohin mund ta imagjinojnë nëse në mënyrë hipotetike do të ishte një situatë e njëjtë me Edi Ramën. Imagjinoni si do ta shfrytëzonte PD. Si do ta njolloste PS së bashku me Edi Ramën. Dëmi që i është krijuar PD mund të eleminohet në zgjedhjet e ardhshme për kryetar. Kjo do të mbesë përjetësisht në historinë e PD dhe Shqipërisë”, u shpreh avokati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat