Mbërrijnë 60 mijë doza Sinovac në Rinas, të hënën vijnë doza të tjera nga Pfizer

Shqipëria

Mbërrijnë 60 mijë doza Sinovac në Rinas, të hënën vijnë doza të tjera nga Pfizer

Më: 23 maj 2021 Në ora: 14:34
Pamje nga vendi i ngjarjes

Këtë të diel kanë mbërritur në vendin tonë 60 mijë doza e tjera të vaksinës Sinovac.

Ministrja Manastirliu ndodhej në aeroportin “Nënë Tereza” për të pritur ngarkesën e dozave të vaksinës Sinovac.

Ditën e hënë priten 14 mijë e 40 doza të tjera të vaksinës Pfizer, për të vazhduar me planin e vaksinimit masiv në vend, teksa muajin tjetër pritet të vijë një tjetër sasi vaksinash nga AstraZeneca.

Manastirliu theksoi se deri ditën e djeshme janë kryer rreth 712 mijë vaksinime teksa shtoi se situata në vend është normalizuar dhe numri i rasteve të reja është ulur.

“Sapo kanë mbërritur 60 mijë doza të vaksinës Sinovac, të cilat janë pjesë e kontratës së dytë. 60 mijë doza që do të përdoren për të gjithë qytetarët të cilët janë vaksinuar me dozën e parë, dhe duhet të vijojnë vaksinimin me dozën e dytë. Në Shqipëri kanë mbërritur më shumë se 830 mijë doza në total. Deri ditën e djeshme janë vaksinuar rreth 712 mijë qytetarë. Situata në vend është normalizuar, ka një ulje të rasteve aktive, kjo falë vaksinimit masiv që ka dhënë impaktin e vet. Është gjithmonë vendi për të treguar kujdes, jemi të fokusuar të arrijmë 1 milionë vaksinime në muajin qershor”, tha Manastirliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat