I gjithë viti akademik online, rektori i UT: Nuk ka ulje tarifash!

Shqipëria

I gjithë viti akademik online, rektori i UT: Nuk ka ulje tarifash!

Më: 27 maj 2021 Në ora: 08:13
Foto ilustrim

Në të dytin vit akademik të përmbyllur në distancë, universiteti publik me numrin më të lartë të studentëve nuk ka ndërmend të konsiderojë kërkesën e studentëve për ulje tarife.

Në një dalje për mediat, rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, jo vetëm që nuk pranoi se institucioni që drejton është lehtësuar nga detyrimet, por janë familjet e studentëve ata që kanë përfituar në këtë mes.

“Sipas të dhënave tona, 70% e studentëve vijnë nga rrethet, 30% banojnë në kryeqytet. Do të thotë që nuk janë tarifat ato që dëmtojnë ekonominë familjare, por pjesëmarrja e studentit në universitet dhe jo në distancë”, nënvizon rektori, teksa shton se edhe semestri i dytë, njësoj si i pari do të mbyllet online, pavarësisht lejes nga komiteti teknik i ekspertëve për të hapur auditoret. Edhe ky, një argument shtesë se financat e studentëve nuk do të cenohen.

“Në përgjithësi provimet e semestrit të dytë dhe përmbyllja e këtij viti akademik do të bëhet online, me përjashtime të vogla sipas degëve dhe programeve ku prezenca është e domosdoshme. Kjo do të thotë që ne nuk do ti ngarkojmë familjet e studentëve me kosto shtesë. Do të mundohemi që programin mësimor ta përfundojmë me nivelin sa më të lartë të realizimit të tij”. Sipas rektorit, studentët duhet të kenë kërkesa më esenciale se ulja e tarifave dhe universiteti nuk duhet parë si mundësi thjesht ekonomike e lehtësirash. Krejt ndryshe, mendon homologu i tij në Prishtinë, me të cilin pati një takim, që ka vendosur të zërojë koston vjetore të shpenzimeve për studentët në vitin pandemik.

MËSIMI ONLINE

Jo pa mburrje, rektori Hoxha thotë se pjesëmarrja e studentëve në mësimin në distancë ka qenë më shumë se e kënaqshme, madje, më e lartë se ajo në auditore. “Të dhënat që ne kemi, bëhet fjalë për 95 % pjesëmarrje. Ju mund të keni idikatorë të tjerë, por ai i pagabueshëm është vetë sistemi”. Të dhënat e organizatës “Qëndresa qytetare” flasin tjetërsoj. “Banka botërore thotë se 50% e territorit të vendit tonë mbulohet me internet më të dobët se 10 mbytë për sekondë. Së treti kemi bërë vlerësimet dhe monitorimet tona. Nga përgjigjet e mbi 1 mijë studentëve, 60% e tyre e ndjekin rregullisht mësimin online, ndërsa pjesa tjetër jo”, thotë Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i organizatës që prej kohësh ka marrë në lupë gjithë universitetet. Përgjatë këtij viti akademik, studentët janë ankuar më së shumti për koston dhe mbulimin e internetit, mungesën e lëndëve praktike dhe pagesat e kryera paraprakisht për qëndrimin në konvikte a shtëpi me qira.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat