Nga vrasja e të vëllait, tek larja e hesapeve për drogë/ Ja pistat ku po hetohet për ekzekutimin e Shkëlzen Velajt

Shqipëria

Nga vrasja e të vëllait, tek larja e hesapeve për drogë/ Ja pistat ku po hetohet për ekzekutimin e Shkëlzen Velajt

Më: 4 qershor 2021 Në ora: 15:48
Shkëlzen Velaj

Seria e vrasjeve të tipit mafioz në qytetin e Vlorës solli një tjetër viktimë mesnatën mes së mërkurës dhe së enjtes, ndërsa autorët e krimeve të tilla thuajse me të njëjtën skemë arritën të zhdukeshin pa lënë gjurmë në vendin e ngjarjes.

Në shënjestër të atentatit ishte 42-vjeçari Shkëlzen Velaj, banues në lagjen “24 maji” ose siç njihet ndryshe në Vlorë, si zona e “Çoles”, vend ku ndodhi edhe vrasja. Sipas burimeve, viktima është ndjekur me makinën e tij deri te banesa. Ai ka pikasur lëvizjet e dyshimta të një automjeti tjetër që po e ndiqte. Në panik e sipër, Velaj ka braktisur mjetin dhe është ngjitur me shpejtësi për në banesën e tij. Vrasësi e ka ndjekur atë edhe nëpërmjet shkallëve deri në katin e pestë të ndërtesës ku e ka qëlluar me breshëri plumbash. Viktima është përpjekur të hyjë brenda banesës ku jetonte, por dera nuk është hapur, duke mbetur i vdekur në pragun e saj. 42-vjeçari ka shkuar te dera e banesës duke i bërë thirrje të ëmës që ta hapte.

Mësohet se fjalët e tij të fundit, sipas edhe dëshmitarëve okularë, kanë qenë “nënë, hape derën shpejt”, por autori ka mbërritur me armë në dorë duke e qëlluar për vdekje. Mësohet se ndaj Velajt është shkrehur një krehër automatiku kallashnikov, ndërsa 15 plumba e kanë prekur këtë të fundit, kryesisht në pjesën e barkut. Për shkak të plagëve ka ndërruar jetë disa minuta më vonë në spital. Nëna që ka hapur derën e ka gjetur përtokë djalin e saj pranë derës në një pellg gjaku, ndërsa nga banorët aty pranë është lajmëruar Policia dhe autoambulanca. Ajo ka edhe një djalë tjetër në Itali, ndërsa një tjetër i është vrarë para gjashtë vitesh në të ashtuquajturën “Masakra e Çoles.

HETIMI

Rreth 30 minuta më vonë nga ngjarja, në afërsi të fshatit Risili, në zonën e bypass-it të Vlorës, ku është ende duke u punuar, është gjetur një automjet tip “BMW” pa targa, e djegur thuajse plotësisht, ndërsa në brendësi të automjetit është gjetur dhe një armë tip kallashnikov, armë që besohet se është kryer edhe atentati ndaj 42- vjeçarit.

Nga burime të Policisë mësohet se autorët kanë qenë dy persona, që kanë ndjekur fillimisht viktimën dhe më pas atentatin ndaj tij, duke u larguar më pas nga vendi i ngjarjes. Automjetit i kanë vënë flakën, ndërsa dyshohet se me një tjetër mjet janë larguar ndoshta në drejtim të fshatrave të lumit të Vlorës për t’i shpëtuar edhe ndjekjes së Policisë.

Nga mënyra se si është kryer vrasja, vështirëson për hetuesit edhe zbardhjen e shpejtë të saj. Shkëlzen Velaj është vëllai i Ardi Velajt, i vrarë më 7 prill të vitit 2015, në atë që është cilësuar si “masakra e Çoles”, ku mbetën të vrarë tre të rinj. Kjo është një nga pistat ku edhe po hetohet nga Policia referuar dyshimeve që mund të rrjedhin nga saga e krimeve që kanë pësuar ngjarjen e 6 viteve më parë. Ndërkohë, në tetor të vitit 2019 Shkëlzen Velaj është arrestuar për kultivim të bimëve narkotike, ku u arrestuan shtatë persona në atë kohë.

Një pistë e dytë e hetimit është edhe lidhja e mundshme e atentatit për larjes hesapesh në lidhje me kultivimin apo trafikun e lëndëve narkotike. Një tjetër pistë mbetet dhe ajo e ndonjë konflikti të mundshëm që mund të ketë pasur viktima me persona të tjerë. Për këtë ngjarje Policia e Vlorës ka shoqëruar katër persona, kryesisht dëshmitarë, por nuk ka ende asnjë të arrestuar. Mësohet se Velaj jetonte në banesë vetëm me nënën e tij, ndërsa ishte i pamartuar.

ATENTATET

Atentatet mafioze në Vlorë këtë vit nisën më 26 janar, kur mbeti i plagosur rëndë Marjon Mitro, anëtari i bandës së të rrezikshmit Julian Sinanaj. Mitro u qëllua nga një makinë në lëvizje e llojit “Land Rover”, teksa ecte pranë bibliotekës së qytetit bregdetar. Fatmirësisht ai i shpëtoi atentatit vetëm me një plumb në këmbë. Në atentatin e radhës, atë të datës 6 shkurt, objektivi, 40-vjeçari Gentian Qarri, nuk ishte me fat. Ai mbeti i plagosur rëndë pasi u qëllua nga një makinë tip “Toyota”, që më pas u gjet e djegur në Pyllin e Sodës, ndërsa ndërroi jetë sapo mbërriti në spital.

Më 3 mars një tjetër atentat mafioz tronditi Vlorën. Taulant Gjika (Beqiraj), 31 vjeç, vritet në rrugë. Autori zbret nga një makinë me xhama të zinj dhe i drejtohet Beqirajt duke e qëlluar me breshëri kallashnikovi. Kjo ngjarje konsiderohet e zbardhur nga Policia, me 3 autorë të identifikuar, dy prej të cilëve janë prapa hekurave, megjithëse personi që ka qëlluar vijon të jetë në kërkim. Pas një qetësie gjatë muajit prill, qyteti bregdetar tronditet sërish më 10 maj, kur ekzekutohet në makinën e tij Bledar Birçaj.

Dy persona që i kishin zënë prite në një makinë tjetër e qëllojnë për vdekje Birçajn, ndërsa plumbave u shpëtojnë një oficer i Antidrogës dhe një i ri, që ndodheshin në makinë me të. Po në muajin maj, më datë 21, ekzekutohet Delon Troqe, i sapokthyer nga Spanja. Edhe në këtë rast Policia gjen vetëm makinën e autorëve, duke u djegur në zonën e Sherishtës. Dy atentate të tjera, më 27 maj ndaj Ergys Likajt dhe më 29 maj ndaj Edison Begajt, fatmirësisht u mbyllën vetëm me plagosje, pasi Likaj dhe Begaj fatmirësisht shpëtuan. Atentati i fundit ishte ai i mesnatës së mbrëmshme, ku mbeti i vrarë Shkëlzen Velaj

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat