Flet për herë të parë Shkëlzen Buci: Nëse do kisha vrarë motrën, s’do ta lija në ferra ta hanin derrat

Shqipëria

Flet për herë të parë Shkëlzen Buci: Nëse do kisha vrarë motrën, s’do ta lija në ferra ta hanin derrat

Më: 8 qershor 2021 Në ora: 12:45
Eglantina Buci dhe Shkëlzen Buci

Shkëlzen Buci, i akuzuar për vrasjen e motrës së tij Eglantina Buci, krim që u zbardh në Shtator 2020, ka folur për herë të parë nga qelia.

Në një lidhje telefonike për emisionin Uniko, Shkëlzen Buci është pyetur se çfarë lidhje ka me vrasjen e motrës së tij.

Ai ka mohuar këto akuza dhe thotë se faktet janë manipuluar nga dëshmitari i penduar i drejtësisë Miklar Tola, që dikur ka qenë edhe shoku i tij.

Çfarë lidhje keni ju drejtpërdrejt me vrasjen e Eglantinës?

Për mua kjo ka qenë një akuzë shumë e rëndë dhe një diçka përtej çdo limiti njerëzor dhe përtej çdo mendje djallëzore. Dora gjakatare e narkomanit Miklar Tolës…. duke manipuluar dhe ndryshuar faktet që ndodhen në dosje, dizinformimin e opinionit publik duke ndryshuar autorësinë e krimit sepse këtu në vendin tonë nuk lexohen provat dhe faktet sipas realitetit, por sipas forcës dhe influencës së individid.

Kush janë provat në rastin tuaj?

Të gjitha ato çfarë thuhen në dosje, të gjitha ato çfarë ai ka bërë publike dhe çfarë ai ka shkruar në dosje që nuk kanë rakordim me njëra-tjetrën, unë e sfidoj publikisht z.Miklar Tola dhe gjithë personat që fshihen pas kësaj çështje, që në seancat gjyqësore dhe më tej dua të gjithë dëshmitarët që përmenden në ngjarje, të gjitha çka ai i trillon nga fillimi deri në fund në lidhje me çështjen dhe ekzekutimin e kësaj vepre makabre penale. Ime motër është larguar nga banesa në vitin 2008.

Dhe ka parë jetën e vetë në mënyrë siç ajo e ka zgjedhur vetë, formën dhe përmbajtjen e jetes së vetë. Unë jam askushi për t’ia diktuar as në atë kohë, as sot dhe as kurrë. Nuk mundet kurrën e kurrës për çfarëdo lloj arsyeje, çfarëdo lloj krimi, për çfarëdo lloj që të ketë bërë personi i familjes, minimalisht deklaroj publikisht motrën time nuk do e lija në ferra që ta hanin derrat edhe qentë e Malit me Gropa. Gjënë më minimale, sikur të isha superkrimineli i kriminelëve, motra ime nuk do të rrinte në ferra që ta hanin derrat dhe qentë. Por minimalisht një varrim do t’ia kisha bërë.

S’isha dakord me zgjedhjet e saj

Në shtator 2020 policia zbardhi krimin e rëndë të vrasjes së Eglantina Bucit, e cila ishte groposur në Malin me Gropa. Shkëlzën Buci, vëllai i saj, akuzohet si vrasësi direkt, ndërsa babai i vajzës, Faik Buci është gjithashtu i arrestuar dhe akuzohet se ka porositur vrasjen e së bijës.

Eglantina është vrarë në periudhën 2011-2012, por vetëm në shtator 2020 u arrit që të provohej se mbetjet kockore të gjetura në mal i përkisnin asaj.

Shkëlzëni thotë se nuk ka qenë dakord me zgjedhjet e motrës së tij kur ajo u largua nga banesa të paktën 11 vite më parë. Por kjo gjë, tregon Shkëlzeni, nuk do të thotë që ai të ketë gisht në vrasjen e motrës së tij.

Kur është takimi juaj i fundit? E mban mend takimin e fundit me Eglantinën?

Unë nuk kam kryer takim të fundit me Eglantinën, unë nuk jam takuar personalisht por në komisariatin Nr.5, por nuk jam takuar personalisht me Eglantinë.

Çfarë marrëdhënie kishit ju vëlla e motër me njëri-tjetrin?

Marrëdhëniet i kemi pasur jashtëzakonisht shumë të mira deri tek fakti kur ajo u largua nga shtëpia. Nuk mund të them që isha i kënaqur me zgjedhjen e saj, por kjo kurrsesi nuk mund të më bëjë mua një lloj killeri në atë lloj forme, as në ëndrrat më të frikshme nuk e kam imagjinuar, as menduar që një njeri sado përbindësh të jetë nuk mund të arrijë në atë lloj grade. Të thashë, nuk mund të jem naiv që të them po unë kam qenë dakord me zgjedhjet e asaj, s’e kam pëlqyer si çdo vëlla.

E keni dhunuar ju atë? E keni kërcënuar për zgjedhjen që kishte bërë?

Kurrë në jetë, jo atë po askënd.

Sot e akuzon për vrasjen e motrës, por si është njohur dëshmitari i drejtësisë me Shkëlzen Bucin

Shkëlzen Buci akuzohet nga ish-shoku i tij që sot është dëshmitar i drejtësisë, Miklar Tola, për vrasjen e motrës së tij Eglantina Buci, ngjarje që u zbardh në shtator 2020.

Shkëlzen Buci ka rrëfyer se si është njohur me Miklar Tolën në vitin 2011.

Ai thotë se në atë kohë, Miklar Tola punonte si furnitor i tij në tregun e fruta-perimeve. Shkëlzen Buci hedh poshtë të gjitha akuzat e dëshmitarit Miklar Tola dhe thotë se nuk mund t’i tregonte një personi që sapo kishte njohur, për vrasjen e motrës. Buci i bën thirrje Miklar Tolës që të tregojë personin e vërtetë që ka vrarë Eglantina Bucin.

Kur e keni njohur për herë të parë Miklar Tolën dhe mund të më përshkruash marrëdhënien që keni patur ju me të gjatë gjithë këtyre viteve.

Unë kam punuar me dyqan fruta-perimesh. Tek Tregu Agro-Ushqimor Miklari kishte një dum-dum. Dhe Miklar Tola në jetën time ka qenë thjesht një njeri që ishte furnitor në dyqanin tim, që sillte fruta dhe perime. Dhe për një periudhë aq të shkurtër, se unë sapo e kisha njohur në atë kohë dhe nuk kam menduar kurrë që Miklari mund të ishte një përbindësh i tillë që të më bënte këtë lloj marifeti, dhe si mund që një njeri që sapo e ke njohur t’i besosh një diçka kaq të madhe.

Në cilin vit e ke njohur Miklar Tolën?

Jo më vonë viti 2011 mund të ketë qenë.

Ju jeni të dy me origjinë nga Dibra apo jo?

Po, unë jam nga Lura, ai më duket se është nga zona në kufi me Maqedoninë.

Ju jeni njohur për shkak se vinit nga e njëjta zonë apo rastësisht në tregun e Pazarit të Ri?

Marrëdhënia jonë ishte vetëm që Miklari më sillte furnizimet si çdo furnitor tjetër që unë kam shumë emra të tjerë që kam punuar me persona të tjerë, por Miklarin e merrja në atë periudhë meqë ishte djalë i ri, ishte më i shpejtë edhe ma bënte punën në mënyrë më perfekte. Ai ka qenë punëtori im dhe asgjë më tepër. Pastaj periudha tjetër se si i ka krijuar ai lidhjet, se çfarë ka bërë ai dhe format e tjera, mua më vjen shumë keq që policia dhe Prokuroria nuk kanë bërë asnjë lloj hetimi në lidhje me kronologjinë e gjithë ngjarjes. Ai ka përmendur shumë emra aty që unë nuk i njoh fare.

Punëtori juaj është ai person që zbardhi se kush është e vërteta e motrës tënde dhe eshtrat që ishin gjetur në 2012…

Për këtë pjesë atë e përgëzoj dhe i jam shumë mirënjohës. Por ka vetëm një diçka, i lutem që të nxjerri personat e saktë dhe personin autentik kush ka qenë në vendngjarje.

Në rast se ju nuk jeni autori, çfarë qëllimi ka Miklar Tola kundër jush personalisht për t’ju akuzuar për një ngjarje kaq të rëndë?

Mendoj vetëm për faktin e 2017, sepse arsye tjetër unë atij njeriu dhe asaj familje nuk i kam asnjë lloj borxhi dhe asnjë lloj detyrimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat